Vendosni fjalën kyçe....

Parku fotovoltaik i Karavastasë, Voltalia ‘troket’ tek BERZH për 28 milionë euro kredi


Kompania Voltalia e cila ka fituar përmes ankandeve të drejtën për projektet e parqeve fotovoltaikë në Karavasta dhe Spitallë ka kërkuar mbështetjen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për një financim 28 milionë euro.

Konkretisht kjo mbështetje është kërkuar për projektin e Karavastasë që tashmë ka disa muaj që ka nisur zbatimin. Kostoja totale e projektit llogaritet në 125 milionë euro dhe Voltalia ka kërkuar që BERZH të ndihmojë në financimin e 28 milionë eurove.

Mbështetja e BERZH në këtë projekt nuk duket edhe aq e habitshme po të kemi parasysh që ishte vetë banka që ka asistuar qeverinë shqiptare përgjatë gjithë fazave të ankandeve të zhvilluara për kapacitetet e energjisë diellore ku në të dyja rastet fituese ishte Votalia.

Në përshkrimin e projektit BERZH nënvizon se kërkesa ka të bëjë me dhënien e një kredie afatgjatë për financimin e ndërtimit dhe funksionimit të centralit diellor të Karavastasë një impiant me fuqi të instaluar prej 140 MWp që ndodhet në bashkinë e Fierit.

“Projekti është rezultat i një tenderi konkurrues ndërkombëtar të mbështetur nga Banka dhe do të zbatohet nga Karavasta Solar, 100% në pronësi të Voltalia SA, një kompani ndërkombëtare e energjisë së rinovueshme e listuar në Euronext Paris.” – thuhet në dokument.

Projekti për Karavastanë dhe Spitallën

Kompania Voltalia në korrik të këtij viti mbajti ceremoninë për nisjen e punimeve në parkun fotovoltaik të Karavastasë.

Projekti 140 megavat ju dha Voltalia-s me vendim të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë më date 21 janar 2020, sipas një procedurave dhe procesit konkurrues të tenderit të hapur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZH.

Sipas kushteve të tenderit, Parku i Karavastasë do t’i shesë operatorit publik shqiptar 50% të energjisë elektrike nëpërmjet një kontrate shitjeje 15-vjeçare, ndërsa pjesa tjetër do t’i shiten me kontrata afatgjata operatorëve privatë.

Impianti pritet të vihet në punë në gjysmën e dytë të vitit 2023. Impianti i ri i Energjisë do të mbulojë konsumin vjetor të energjisë elektrike të rreth 220 mijë banorëve, dyfishi i konsumit të qyteteve shqiptare si për shembull Vlora apo Kamza.

Në mars të vitit të shkuar Voltalia fitoi një tjetër garë për projektin që do të zbatohet në Spitallë me një çmim 29.89 euro/MWh.

Sipërfaqja ku do të ndërtohet parku fotovoltaik i Spitallës është 120.85 hektarë. Rrezatimi diellor maksimal horizontal në këtë zonë varion nga 3.2 – 4.8 kWh/m². Parku Fotovoltaik i Spitallës do të ketë një kapacitet të instaluar prej 100 MWp nga të cilat 70 MW do të blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nëpërmjet një kontrate për blerjen e energjisë me çmim të paracaktuar dhe 30 MW do të tregtohen në treg të lirë.

Pak ditë më parë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se pritet që së shpejti të nisë edhe ndërtimi në parkun e Spitallës duke qenë se aktualisht janë duke u përfunduar procedurat e fundit burokratike të dokumentacionit. /N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor