Vendosni fjalën kyçe....

PD-kreu të ARRSH-së: Përgjigju këtyre 4 pyetjeve për mashtrimin e projetit


Partia Demokratike ka reaguar sërish ndaj ARRSH-së. Sipas saj mashtrimi i sotëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar nuk e shpëton nga përgjegjësia penale për korrupsion dhe shpërdorim detyre Drejtorin Afrim Qëndro dhe as shefin e tij Edi Rama.

Pak më herët pas deklaratave të këshilltarit ligjor të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi se projekti 40 milionë euro është tenderuar pa studim fizibililiteti, pa vlerësim të ndikimit në mjedis, pa analizë kostoje/përfitimi, pa vlerësim shpronësimesh, ka reaguar Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Nëpërmjet një njoftimi, Autoriteti Rrugor Shqiptar i kërkon Bardhit të konsultohet me kryetarin e tij Lulzim Basha përpara se të dalë në një komunikim të tillë me median.

“Nëse do të ishte konsultuar, së paku do të kishte shmangur disa gafa të rëndomta dhe nuk do shqetësonte qytetarët shqiptarë me spekulime politike në një ditë të shënuar si Festa e Çlirimit.”, u shpreh ARRSH-ja.

Deklarata e PD-së: 

Në përpjekje për të mashtruar shqiptarët, ARRSH provoi si të vërtetë denoncimin e PD për shkeljen e procedurave kryesore, të parashikuar nga VKM nr. 628/2015.

Drejtori i ARRSH-së, që mbahet mend si njeriu që përmbyti Tiranën me urdhër të Edi Ramës në vitin 2001, pasi të konsultohet me ligjin, duhet të përgjigjet:

·        Pse projekti është tenderuar me urgjencë dhe pa kryer më parë studimin e fizibilitetit? ARRSH nuk mund të fshihet pas të shkuarës, sepse projekti për Unazën e Re është projekt i ri, i kërkuar në Janar 2018 nga Bashkia e Tiranës.

·        Pse projekti është tenderuar me urgjencë dhe pa kryer më parë procedurat për marrjen e lejeve të nevojshme, përfshirë marrjen e detyrueshme të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis? Projekti është tenderuar në 10 Shtator 2018, është shpallur fituesi në 19-21 Tetor 2018, ndërkohë që aplikimi për vlerësimin e ndikimit në mjedis është bërë më datë 8 nëntor 2018 dhe është marrë më 12 nëntor 2018, pasi kishte nisur zbatimi i projektit dhe pasi projekti ishte denoncuar si korruptiv dhe i paligjshëm nga opozita.

·        Pse projekti është tenderuar me urgjencë dhe pa kryer më parë procedurat për vlerësimin paraprak të kostove dhe përfitimeve, përfshirë vlerësimin mbi vlerën paraprake dhe të mundshme të shpronësimeve? Ky nuk është fondi i shpronësimeve që miratohet me VKM, për të cilin mashtron ARRSH-ja, por vlerësimi paraprak i shpronësimeve, që është i detyrueshëm të realizohet përpara miratimit të projektit.

·        Pse ka kërkuar sponsorizim për projektimin  në kundërshtim me ligjin e sponsorizimeve? Kjo procedurë nuk ka asnjë ngjashmëri me rastin e referuar për një segment tjetër të Unazës së Re.

Nevoja për të justifikuar vjedhjen dhe shkeljen e ligjit me projektin 40 milionë euro, e detyron Drejtorin e ARRSH-së t’u thotë shqiptarëve se ai po ndjek të njëjtën procedurë si 10 vjet më parë, kur ligji e detyron që të ndjekë vetëm procedurën e miratuar në 2015-ën nga qeveria e Edi Ramës! Partia Demokratike përsërit thirrjen për prokurorinë që të dëgjojë zërin e banorëve dhe të marrë menjëherë në shqyrtim kallëzimin e tyre penal. Çdo zyrtar i përfshirë në këtë aferë gjigande korruptive duhet të përgjigjet para ligjit!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *