Vendosni fjalën kyçe....

Kurti emëron këshilltare politike për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin 


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, emëroi të hënën zonjën Ardita Sinani, Këshilltare Politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, tri komunat e banuara me shqiptarë në jug të Serbisë.

Në një njoftim të qeverisë së Kosovës thuhet se “ky është hapi i parë drejt themelimit të Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, zyrë të cilën do ta koordinojë zonja Sinani”.

Kjo zyrë, thuhet në njoftim “do të jetë në funksion të përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve në këto komuna, ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe shtimin e bashkëpunimit institucional për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të tyre, si nevojë dhe domosdoshmëri e kohës”.

Sinani, nga Partia për Veprim Demokratik, është e para grua politikane në Luginën e Preshevës dhe shërbeu për një kohë edhe në postin e kryetares së komunës së Preshevës.

Zyra që pritet të bashkërendohet prej saj është e para e këtij lloji në Kosovë, ndërsa që nga përfundimi i luftës Serbia ka një zyrë të posaçme në qeverinë e saj për Kosovën.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti përgjatë bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ka kërkuar që të ketë simetri në të drejtat e serbëve të Kosovës me ato të shqiptarëve në Serbi.