Vendosni fjalën kyçe....

Debati për naftën, zelli i Belindës dhe Adriatik Lapaj si eskortë ambasadash


Një deklaratë e Belinda Ballukut tre ditë më parë, shkaktoi bujë, pasi ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës bëri gabimin që në një rrethanë me tension psikologjik për shkak të rritjes së çmimit të naftës, ofroi leksione morale për përdorimin e kufizuar të automjeteve. 

Në fakt Balluku prej zellit të tepërt për t’i dalë në krahë Shefit kërkoi kot belanë, pasi struktura e çmimit të naftës që përdoret në vendin tonë, lidhet me bursën ndërkombëtare (sepse importohet) dhe paketën e taksave mbi karburantin, këto të fundit janë nomenklaturë e ministrisë së Financave, ministria e Ballukut s’ka lidhje fare.

Por nomenklatura e taksave mbi karburantet nuk është thjesht problem fiskal, por mbi të gjitha është problem strategjik që lidhet me mënyrën se si një shtet vendos të maksimalizojë eficencën e resurseve natyrore. 

Shqipëria është vend prodhues nafte, por naftën që prodhon e eksporton jashtë vendit, industrinë përpunuese e ka asgjësuar dhe konsumin e brendshëm e përballon duke blerë jashtë vendit.

Kjo është një përthyerje arbitrare, një paradoks që vijon prej dekadash dhe që mbi të gjitha tregon se sektori hidrokarbur i vendit është i minuar dhe i krisur në tabanin e tij dhe jo thjesht në vicklat fiskale apo spekulimet e çmimeve të bursës të grosistëveve, të cilët shteti i disiplinon me një të rënë të bilbilit nëse dëshiron.

Asgjësimi i rafinerisë

Sot prodhimi vendas i naftës nuk ndikon dot në tregun e karburanteve sepse në Shqipëri nuk prodhohen karburante qëkurse Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh nuk ekziston më si infrastrukture e rafinimit të naftës bruto me destinacion prodhimin e dieselit dhe benzinës (për më teper, ky objekt përfundimisht po kthehet në skrap, pra për një kohë të pacaktuar, Shqipëria nuk do mund të prodhojë dot karburante).

Duke qenë i varur nga tregu i huaj i karburanteve, tregu jonë detyrimisht do reflektojë çmimet e atij të huaj, plus taksat me të cilat ngarkohet sipas legjislacionit tonë financiar.

Aktualisht i gjithë prodhimi vendas i naftës bruto, shkon në pjesën më të vogël të tij (rreth 150 mijë ton në vit) për dy rafineritë vendase të cilat prodhojnë vetëm produkte të rënda, kryesisht bitum dhe solar (light fuel oil) ngaqë teknologjia e tyre nuk u mundëson prodhimin e karburanteve dhe në pjesën më të madhe, pra ajo që prodhon Bankers Petroleum (përafërsisht 1 milion ton duke përjashtuar detyrimin e tij në natyrë ndaj Albpetrolit) shkon në eksport.

Kur kompania e rafinimit ARMO ishte shtetërore dhe vendburimet e naftës nuk eksportonin prodhimin e tyre, të themi në fillim të viteve 2000, KPTHN arrinte të mbulonte me karburante (me diesel pasi benzina super nuk prodhohej prej kohësh për shkak të problemeve të teknologjisë, dhe lënda e parë për prodhimin e saj, pra benzina virgine eksportohej që atëherë) maksimumi mbulonte deri në 30 % të nevojës vendase e cila ishte gjithmonë në rritje.

Pra në kushtet aktuale shteti nuk mund të ndikojë absolutisht në çmimin e karburanteve që tregtohen, përveçse të reduktojë taksat, dhe natyrisht, nëpërmjet levave të tij të shmangë abuzimet siç ishin këto të ditëve të fundit kur çmimi nga pikat e pakicës ngrihej gjatë ditës megjithëse produkti ishte furnizuar disa ditë më parë me një çmim të caktuar e të qartë në dokumentacionin shoqërues të importit.

Për të ardhmen, e vetmja gjë që mund të bëhet është të mendohet për inkurajimin e ndërtimit të një rafinerie, nga shteti ose privatët, me kapacitet të arsyeshëm, e cila duhet të përpunojë të paktën një pjesë të prodhimit vendas, produkti i së cilës (edhe me subvencion nga shteti) të jetë i destinuar për furnizimin e biznesit vendas, si psh të ndërtimit (që duke qenë sektor kryesor i ekonomisë duhet ndihmuar), sidomos të mekanikës bujqësore, pra për fermerët, për anijet e peshkimit, apo qoftë edhe për sektorin e transportit publik, të cilët kanë impakt direkt në ekonominë vendase.

Argumenti dhe batuta

Një ndër organizatorët e protestës për rritjen e çmimit të naftës, Adriatik Lapaj, i përmendi sot ministres Balluku parukerinë dhe eskortat, ndërsa është e paqartë se si lidhet parukeria me një problem të rëndë të sektorit hidrokarbur.

Zoti Lapaj është një aktivist i angazhuar i së ashtuquajturës shoqëri civile, ai në disa raste ka pozuar dhe me ambasadoren e SHBA-ve Yuri Kim, duke demonstruar hapur mbështetjen në fonde dhe konjukturë që projektet e kësaj ambasade i japin Lapajt.

Mirëpo për shkak dhe të afërsisë dhe varësisë që ka me rrjetën e projekteve, zoti Lapaj e ka shumë të  thjeshtë të interesohet pak dhe të mësojë se në vitin 2016 qeveria e Edi Ramës i kaloi rafinerinë e Ballshit një biznesmeni amerikan të quajtur Larry Sargeant, i cili ishte proxy dhe zgjatim i studios amerikane të lobimit “Ballard partners”, të cilën qeveria e Ramës e kishte pajtuar për të forcuar marrëdhëniet në Uashington e për pasojë dhe për të garantuar mbrojtje nga zgjatimi i ambasadës në Tiranë.

Historia e amerikanëve të ARMO-s ishte maskarada e fundit që i dha dërrmën finale rafinerisë që sot ka shkuar për skrap, ndërsa debatet publike mbi këtë sektor të ekonomisë, falë zellit të Belinda Ballukut për të mbrojtur “Shefin” po e shndërrojnë problemin në një spektakël batutash, ku sonte Adriatik Lapaj nga pozitat e një eskorte ambasadash, ka orientuar debatin te parukeria e Belindës me batuta dylekshe./ Hashtag.al