Vendosni fjalën kyçe....

PD-ja i kërkon lidhjen e marrëveshjes për ekstradimin me Emiratet, Manja: Kemi tentuar por nuk ka vullnet nga pala tjetër


Partia Demokratike, nga foltorja e Kuvendit ka kërkuar që Shqipëria të lidhë marrëveshjen e ekstradimit me Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi mendohet se atje qëndrojnë disa nga të kërkuarit e drejtësisë në vend.

Enkelejd Alibeaj iu drejtua qeverisë se do i mbështeste nëse firmosin marrëveshje ekstradimi me Emiratet dhe jo një marrëveshje për shkëmbim informacioni.

Dubai ju thotë gjë? Banda e Durrësit ju thotë gjë? Të gjitha bandat në këtë vend kanë gjetur parajsën e tyre në Dubai. Sigurisht Ministrin e Brendshëm e kuptoj që thotë se ka bërë punën e tij. Por çfarë është kjo marrëveshje? Shkëmbim të dhënash… shkëmbim të dhënash që i ka kushdo që do dhe i gjen online? Dhe kjo quhet një arritje?! Nëse do sillni një marrëveshje ekstradimi me Emiratet e keni votën tonë!  Ndaj kësaj marrëveshjeje fshihen kaq probleme të mëdha dhe demaskim i qeverisë. Kjo është ajo që duhet të diskutojmë të gjithë, duhet parë me seriozitet, impuls politik, për të hequr çdo ide keqkuptimi që pengimi i marrëveshjes së ekstradimit me Emiratet të jetë e kapur nga krimi. Keni  një detyrim për ta bërë këtë gjë, parajsa kriminale është atje, detyrimi juaj është ta tregoni se nuk jeni të kapur nga krimi, nga ana jonë do ta keni votën sapo të sillni, edhe për këto, marrëveshje për shkëmbim informacioni”-deklaroi Alibeaj.

Nga qeveria, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi se letrat i janë dërguar Emirateve për ekstradime të personave të kërkuar por nuk është kryer kjo gjë.

Madje sipas Manjës edhe përpjekje për marrëveshje për ekstradim është tentuar por nuk ka pasur vullnet nga pala tjetër e Emirateve.

Nuk kemi marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe, por instrumenti me të cilën sot kemi bashkëpunime me Emirateve të Bashkuara arabe është instrumenti i Konventës. Kemi tentuar të kishim marrëveshje por nuk ka pasur vullnet nga Emiratet. Të gjitha kërkesat për personat që fshihen në Emiratet e bashkuara Arabe ministria e Drejtësia ua ka përcjellë institucioneve në Emiratet Arabe.

Marrim dijeni njoftohemi për personat në kërkim për llogari të drejtësisë shqiptare dhe kur ne vëmë në dispozicion dokumentacionin e drejtësisë nuk na ekstradohen. Kemi bërë të gjitha përpjekjet por nuk është përgjegjësi e jona. Instrumenti i konventës është i pamjaftueshëm”, u shpreh Ulsi Manja