Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj: Rama kërkon zgjedhjet në tavolinë, ndaj nuk e ndryshon Reformën Territoriale


Kryetari i grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj ka akuzuar maxhorancën socialiste se po planifikon të marrë “në tavolinë” zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.

Në një deklaratë për mediet, Alibeaj e ka konsideruar si një provokim qëndrimin e deputetëve socialistë në Komisionin e Reformës Territoriale.

 “Kjo është një çështje që meriton trajtim dhe diskutim.I jemi futur kësaj reforme jo vetëm si kerkesë e jona, por është një kërkesë që ka lindur që në vitin 2014. Reforma e asaj kohe u bë në mënyrë të njëanshme, u anatemua se pse si PD, ne nuk morëm pjesë apo pse nuk ofruam variantin tonë dhe për këtë arsye kërkuam me ngulm ngritjen e këtij komisioni.
Kjo e sotmja është vetëm një provokim, si mund të thuash që pa mbaruar mandati i Komisionit të Reformës nuk do të ketë asnjëlloj ndryshimi. Ne e kemi çuar deri në fund sepse as mandati i Komisonit nuk ka përfunduar. Ne kemi nisur të bëjmë një reformë që të kallëzojë dështimet spektakolare që ka pasur reforma. 7 bashki kanë falimentuar. Problem shumë i madh është fakti që prej kaq kohësh është një kërkesë jo vetëm e jona, por e qytetarëve. Gjithmonë kanë kërkuar një ridimensionim të Reformës Territoriale për ta çuar shërbimin te qytetarët.
E drejta e qytetarëve për të kontrolluar të zgjedhurit e tyre. Nuk do ta quaja me fjalë të tjera përveç se provokim atë që është thënë nga mazhoranca sot. Thanë që do ngelet po e njëjta reformë. Ajo e sotmja qenka skenari që zgjedhjet lokale të 2023-it do të duan t’i fitojnë në tavolinë. Kjo ëshë një gjë që jo vetëm na vendos ne si PD në detyrim për ta çuar deri në fund, por për t’i bërë thirrje të gjithë deputetëve të PD, pa dallim që të ketë ridimensionim të Reformës Territoriale.”– deklaroi Alibeaj.

Ky qëndrim i Alibeajt vjen pasi Partia Socialiste rrëzoi sot një propozim të grupit parlamentar demokrat për të rritur numrin e bashkive nga 61 në 92 dhe qarqet nga 12 në 6 rajone.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se shërbimet në këto shtatë vite janë përmirësuar dhe nuk ka arsye të ndryshimit të numrit të bashkive.

Në draftin e propozuar nga PD, kërkohet që të bëhen 92 bashki dhe 6 rajone.