Vendosni fjalën kyçe....

Bankat perëndimore në Rusi i paguan Moskës 800 milionë euro taksa vitin e kaluar


Shtatë banka të mëdha evropiane bënë më shumë se 3 miliardë euro fitime në Rusi në vitin 2023 dhe paguan taksa me vlerë 800 milionë.

Bankat më të mëdha evropiane që vijojnë të punojnë në Rusi kanë paguar më shumë se 800 milionë euro taksa në buxhetin rus në vitin 2023, ka llogaritur Financial Times. Shifra është katër herë më shumë se para hyrjes së trupave ruse në Ukrainë, raporton e përditshmja ruse Kommersant.

Shtatë bankat më të mira evropiane sipas aseteve në Rusi – Raiffeisen Bank International, UniCredit, ING, Commerzbank, Deutsche Bank, Intesa Sanpaolo dhe OTP – raportuan një fitim të kombinuar prej më shumë se 3 miliardë eurosh në vitin 2023, pavarësisht premtimeve për të minimizuar ekspozimin e tyre rus pas pushtimi në shkallë të gjerë të Ukrainës.

Këto fitime ishin tre herë më të larta se në vitin 2021 dhe pjesërisht u prodhuan nga fondet që bankat nuk mund t’i tërheqin nga vendi.

Rritja e profitabilitetit ka bërë që bankat evropiane të paguajnë rreth 800 milionë euro taksa, nga 200 milionë euro në vitin 2021, tregon një analizë e Financial Times.

Tarifat e paguara nga bankat evropiane, të barasvleshme me rreth 0.4 për qind të të gjitha të ardhurave të pritshme të buxhetit joenergjetik të Rusisë për vitin 2024, janë një shembull se si kompanitë e huaja që qëndrojnë në vend po ndihmojnë Kremlinin të ruajë qëndrueshmërinë financiare pavarësisht sanksioneve perëndimore.

Më shumë se gjysma e pagesave të taksave prej 800 milionë eurosh nga bankat evropiane është bërë nga Raiffeisen Bank International e Austrisë, e cila ka praninë më të madhe në Rusi mes huadhënësve të huaj.

Fitimet ruse të RBI u trefishuan në 1.8 miliardë euro midis 2021 dhe 2023, duke përbërë gjysmën e fitimeve totale të grupit austriak, krahasuar me rreth një të tretën para luftës.

Krahas kontributeve të rregullta tatimore në vitin 2023, Raiffeisen pagoi 47 milionë euro si rezultat i një takse të jashtëzakonshme të vendosur nga Kremlini për disa kompani vitin e kaluar.

Pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, RBI ka shprehur vijimësisht planin e saj për të zvogëluar dhe hequr dorë nga operacionet e saj ruse. Ajo është përballur me kritika të vijueshme nga Banka Qendrore Evropiane dhe Departamenti i Thesarit i SHBA-së për mosplotësimin e tërheqjes.

Edhe pse RBI (Raiffeisen Bank International AG) ka bërë disa përpjekje për të zvogëluar ekspozimin e saj ndaj Rusisë, si për shembull një ulje prej 56% në portofolin e saj të kredisë nga fillimi i vitit 2022, disa masa tregojnë të kundërtën. Postimet e fundit të punës së RBI në Rusi lë të kuptohet për planet ambicioze për të “zgjeruar shumëfish bazën e saj aktive të klientëve”, zbuloi FT.

Deutsche Bank, OTP e Hungarisë dhe Commerzbank kanë zvogëluar ndjeshëm praninë e tyre në Rusi, e cila tashmë ishte e vogël në krahasim me RBI, thanë përfaqësuesit e tyre. Intesa është më afër largimit nga tregu rus, por ende nuk ka shitur biznesin e saj rus. UniCredit nuk pranoi të komentojë mbi të dhënat.

Bankat amerikane nuk u përfshinë në llogaritjet e Financial Times sepse ato nuk zbulojnë rezultatet e tyre ruse në raportet e tyre.

Por pavarësisht mbylljes së bizneseve të saj të korporatave dhe shitjeve me pakicë, Citigroup, huadhënësi i katërt më i madh në SHBA, i cili realizoi një fitim prej 149 milionë dollarësh dhe pagoi 53 milionë dollarë në Rusi në vitin 2023, u bë taksapaguesi i katërt më i madh në mesin e bankave perëndimore në Rusi, sipas Shkollës Ekonomike të Kievit, që bëri llogaritjet bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore Ruse.

Një tjetër gjigant amerikan, JPMorgan, raportoi një fitim prej 35 milionë dollarësh dhe pagoi 6.8 milionë dollarë taksa, sipas institucionit kërkimor.

Kreditorët perëndimorë kanë përfituar nga vendosja e sanksioneve ndaj shumicës së sektorit financiar rus, i cili është bllokuar nga qasja në sistemin ndërkombëtar të pagesave ndërbankare SWIFT. Kjo i bëri bankat ndërkombëtare një mjet shpëtimi financiar për Moskën përballë Perëndimit.

Faktorë të tillë kontribuan në një rritje të trefishtë të të ardhurave neto të tarifave të RBI në Rusi, nga 420 milionë euro në 2021 në 1.2 miliardë euro në 2023.

“Nuk është vetëm në interesin e RBI-së të qëndrojë në Rusi. Banka Qendrore e Rusisë do bëjë gjithçka që është e mundur për të mos i lënë ata të largohen, sepse ka pak banka të pasanksionuara përmes të cilave Rusia mund të marrë dhe dërgojë pagesa SWIFT”, tha një ekzekutiv bankar rus.

Bankat kanë përfituar gjithashtu nga rritja e normave të interesit, me normën bazë të bankës qendrore ruse tani në 16%, pothuajse dyfishin e nivelit të paraluftës. Rritjet e normave i ndihmuan huadhënësit të fitonin të ardhura të papritura nga kreditë me norma të ndryshueshme dhe të grumbullonin të ardhura shtesë nga fondet e bllokuara në llogaritë e depozitave ruse.

Por bankat nuk mund të kenë qasje në paratë e fituara në Rusi për shkak të kufizimeve rregullatore të vendosura në vitin 2022 që ndaluan pagesat e dividentëve nga filialet ruse për bizneset në vendet “jomiqësore” perëndimore.

“Nuk mund të bëjmë asgjë me depozitat ruse, përveçse t’i mbajmë ato në bankën qendrore. Pra, me rritjen e normave të interesit, u rritën edhe fitimet tona”, tha një ekzekutiv në një bankë evropiane me një filial rus.

Paratë e bllokuara janë një pengesë e rëndësishme për largimin nga Rusia. Nga fillimi i vitit 2022, bankat kërkuan gjithashtu autorizim personal nga Presidenti Vladimir Putin për të shitur operacionet e tyre ruse.

Vetëm shtatë banka perëndimore – nga 45 në listën e atyre që kanë nevojë për miratim presidencial për t’u larguar – kanë marrë një autorizim të tillë, duke përfshirë Mercedes-Benz Bank dhe Intesa.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Libertatea.ro

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani