Vendosni fjalën kyçe....

PD thirrje mësuesve e prindërve për protestë: Rama shkatërroi arsimin, 226 mijë nxënës më pak, mbi 700 shkolla janë mbyllur


Partia Demokratike u ka bërë thirrje nxënësve e prindërve të tyre si dhe mësuesve që të ngrihen në protesta të fuqishme kundër qeverisë pasi ajo po shkatërron sistemin arsimor.

Në një deklaratë për media nga selia blu, zëdhënësja Florana Garo tha se 15 vitet e fundit në shkollat e vendit ka 226 mijë nxënës më pak.

Ajo theksoi se në mbarë vendin janë mbyllur mbi 700 shkolla ndërsa 90% e shkollave nuk kanë ngrohje e ujë të rrjedhshëm.

Garo shtoi se shkollat në vend ndërtohen me 4-5 milionë euro, 7-8 herë më shtrenjtë se në Evropë ndërkohë që shumë shkolla e bëjnë ende mësimin me turne e klasa kolektive.

“Sot nis viti i ri shkollor! Së pari, një urim të përzemërt për të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit në këtë ditë të rëndësishme për ta dhe për shoqërinë. Një urim të veçantë vogëlushëve që ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës. Një vit të suksesshëm për të gjithë. Por të dashur miq, viti i ri shkollor 2022 – 2023 nis me kushte më të këqija se më parë. Ky vit nis me 226 mijë nxënës më pak në 15 vjet. Ky vit nis pasi mbi 700 shkolla, të të gjitha niveleve janë mbyllur në të gjithë vendin kurse 90% e shkollave të vendit janë pa ngrohje dhe ujë të rrjedhshëm ndërkohë që fondet vidhen dhe ndërtohen shkolla me 4-5 milionë euro, d.m.th 7-8 herë më të larta se në Europë. Viti shkollor nis në kushte ku 150.000 nxënës do të mësojnë me turne, dhe mbi 50.000 nxënës do të mësojnë në klasa kolektive. Ky vit nis në kohë kur mësuesit shqiptarë janë më të keqpaguarit dhe më të keq-trajtuarit e rajonit. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe gjendjen e rëndë në të cilën fillon punën këtë vit sistemi arsimor në Shqipëri, Partia Demokratike fton nxënësit, prindërit e tyre dhe mësuesit të ngrihen në protesta të fuqishme kundër regjimit që po shkatërron sistemin arsimor.” – tha Garo.