Vendosni fjalën kyçe....

Nga kanabisi e lojërat e fatit, te ndërtesat pa leje, Rama gjen ‘armikun’ e radhës


Tejet i ashpër është parë kryeministri Rama dy ditët e fundit me ndërtuesit në vend duke paralajmëruar konfiskim të ndërtesave pa leje.

Sot i quajti ‘të pangopur’ ndërtuesit që kanë ngritur kate shtesë pa leje, duke u shpallur atyre ‘luftë’ e duke i kërcënuar me konfiskim, gjoba e masa të tjera ligjore. Megjithatë duhet thënë se kjo nuk është hera e parë që kru i qeverisë në mandatin e tij të tretë gjen një ‘armik’ për t’u luftuar.

Me marrjen e pushtetit, ai i shpalli luftë atë që quajti ‘kanabizimi’ i vendit. Nën drejtimin e ish-ministrit të Rendit Tahiri (ndodhet aktualisht në burg) u dërguan forca të shumta policie duke rrethuar fshatin Lazarat të Gjirokastrës.

Pak kohë pas ndërhyrjes në Lazarat, kur pritej që kanabizimi të merrte fund pasi sipas qeverisë ishte goditur ‘bastioni’ i tij, i gjithë territori i Shqipërisë u kthye në një parcelë të madhe ku kultivohej kanabisi, nën hundën e autoriteteve, me tonelata që kapeshin në brigjet e Italisë apo ende pa mbërritur aty.

Kanabizim i përmendur nga raporte  të organeve ligjzbatuese amerikane e evropiane e që nuk është shuar ende duke qenë se ditë pas dite në zona të ndryshme ka persona që kapen duke kultivuar kanabis.

Kanabisi ia la stafetën një tjetër armiku. Kësaj here e kishin radhën lojërat e fatit e bastet sportive. Nën operacionin e koduar ‘Fundi i marrëzisë’ u sekuestruan qindra pajisje për lojëra fati e bastet në vend teorikisht u ndaluan.

Kryeministri Rama u shfaq sërish për të justifikuar operacionin duke cituar Bibël e Kuran për vesin ‘e poshtër e të dëmshëm’ të luajtjes së lojërave të fatit e basteve sportive e për problemet e shumta që sillnin ato në familjet shqiptare.

Pak ditë më parë, në një takim me përfaqësues të sportit në vend ai la të kuptohej se bastet sportive e lojërat e fatit në vend do hapeshin sërish.

Qëndrimi i Ramës ndaj shtesave pa leje në vend, të cilin ai e qeveris prej 9 vitesh në qeverinë qendrore e tre vitet e fundit edhe qeverinë lokale duke qenë se kontrollon thuajse të gjithë bashkitë në vend më se paku e bën kryeministrin e qeverisjen e tij përgjegjës për moskontrollin e territorit.

Të gjitha shtesat pa leje janë bërë ditën për diell, në territorin që Rama e të tijtë në qeveri e bashki janë votuar ta administrojnë.