Vendosni fjalën kyçe....

Përplasja për plehrat/ Ilir Meta për Elton Arbanën: Kryerilindasi i Shijakut merr taksat dhe e kthen bashkinë në vend terrori, presion banorëve


Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka dalë në një konferencë me gazetarët për të denoncuar edhe një herë tjetër sdjegien e paligjshme të plehrave në Shijak, duke ndotur qytetin, fshatrat dhe vënë në rrezik banorët.

Meta tha se vetëm pasi vajti ai atje u dërguan dy zjarrfikëse për të shuar zjarrin, që sipas tij ka qenë i qëllimshëm.

Ish-presidenti tha se djegia e plehrave është bërë natën që të mos ketë media dhe reagime, ndërsa banorëve të zonës sipas tij po u bëhet presion që të mos flasin e të mos reagojnë. Ai shtoi se qeveria po e kthen Shijakun në një vend terrori për qytetarët duke u dërguar plehrat te dera dhe duke u mbyllur gojën që të mos ankohen.

“Duke ju falenderuar për pjesëmarrjen, e zhvillojmë këtë konferencë të veçantë për shtyp për të denoncuar edhe një herë sulmin kimik të Edi Ramës dhe të bandës së Rilindjes në Shijak, kundër banorëve jo vetëm të Shijakut, por edhe Ndroqit, Xhafzotajt, Romanatit, zonës së plazhit, Golemit etj. Ku ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë pasi dje në mbrëmje rreth orës 22:00, në mënyrë të qëllimshme janë djegur tonelata me plehra të cilat kanë qenë të depozituara në hapësirën midis HArdhishtës, Cizmelisë, Eminës, Ivogël, Romanatit, etj.

Kjo është bërë qëllimisht natën, në mënyrë që gjatë natës të mos kishte shumë mundësi për reagime, për mediat, për politikanë që të reagonin dhe të sensibilizoheshin, ndërkohë të gjithë banorët e Shijakut e dinë presionin që u bëhet që të mos flasin për depozitimet e paligjshme që bëhen pranë fshatrave të tyre, shtëpitë e tyre.

Dhe është mjaft e qartë tashmë se si funksionojnë bashkitë rilindase, siç është e qartë e gjithë skema e inceneratorëve me në krye Edi Ramën, ku qytetarët paguajnë gjithnjë e më shumë taksa për pastrimin dhe jo vetëm që nuk e marrin shërbimin, por marrin helmimin, gratis dhe me arrogancë nga bashkia e tyre, qeveria e tyre, shteti I tyre, policia e tyre, drejtësia e tyre që nuk vepron ndaj tyre.

Unë me thënë të drejtën kam marrë disa herë foto dhe mesazhe nga banorë të atij komuniteti për situatën mjaft të rëndë me plehrat dhe mbetjet dhe sot në mëngjes nuk po u besoja pamjeve që po më dërgonin derisa shkova vetë, dhe vetëm pasi u mor vesh që shkova unë atje më pas u nisën dy zjarrfikëse gjoja për të shuar zjarrin.

Dhe ajo që është më e rënda dhe që tregon kapjen e shtetit dhe se si mafia menaxhon jo vetëm çështjen e plehrave por njëkohësisht ka kapur shtetin, është reagimi i Policisë së Shijakut, ku do të tregojë se një person A.M, 47-vjeç kishte djeg disa goma e sedilje makinash me qëllim nxjerrjen e materialeve metalike duke shkaktuar ndotje të madhe të ajrit. Edhe bombë atomike të kishte rëndë nuk do kishte ndodhur ajo ndotje e jashtëzakonshme që e ka parë të paktën gjysma e banorëve që jetojnë në Durrës.

Edhe më i rëndë reagimi i kryerilindësit të Shijakut sepse t’i marrësh taksat popullit tënd dhe ta kthesh atë zonë të mrekullueshme në një vend terrori ndaj qytetarëve për t’i frikësuar ata që të mos protestojnë për plehrat që ua depozitojnë si male përpara shtëpive të tyre, është shumë e rëndë dhe e papranueshme. E aq më tepër të gënjesh pas kapjes në flagrancë. Jam I bindur se kjo skemë aplikohet edhe në bashki të tjera në vend për fat të keq.”– tha Meta.

Kreu i Partisë së Lirisë nxorri sot një video të mbeturinave që digjeshin në zonën e Shijakut e më pas shkoi edhe vetë në zonë.

Ai u tha banorëve se kryeministri Rama jo vetëm po i vjedh banorët po edhe po i helmon.

Më pas kreu i Bashkisë së Shijakut Elton Arbana iu përgjigj duke thënë se Meta po bën opozitën me Shijakun ku ka zjarrvënie të qëllimshme që prej fillimit të gushtit.

Sipas tij, zjarrvënësi është arrestuar nga policia ndërsa pohoi se bashkia nuk vë zjarre të qëllimshme. Madje ai theksoi se bashkia i djeg falas në lanfillin e Tiranës mbetjet.

“Po bën opozitën me bashkinë e Shijakut, që e kanë filluar që në muajin gusht me zjarrvënie të qëllimshme. Paska të njëjtin mbiemër me Metën, shpresoj se nuk e ka gjë. Nuk vë zjarr të qëllimshëm bashkia. Na ka ndodhur dhe në muajin gusht që në orën 1 të natës marrin iniciativa të tilla dhe t’u vënë flakën. I djegin natën me qëllim që të përhapen lajme që bashkia dje plehrat. Depozitimi i mbetjeve në bashkin e Shijakut është bërë në bashkinë e Tiranës falas në landfillin e Sharrës. Që nga koha e mbylljes së Porto Romanës bashkia e Shijakut ka bërë depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës. Bashkia e Shijakut ka hapur tenderimin për menaxhimin e mbetjeve që të shkojnë në një landfill. Për aq kohë sa nuk është mbyllur tenderimi bashkia e Shijakut do ti depozitojë në Sharrë. Deri në këtë moment që flasim bashkia e shijakut nuk ka paguar asnjë qindarkë. Edhe këto ditë shtatori nga përfundimi i kontratës, bashkia po i çon falas në Sharrë.” – u shpreh Arbana.