Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj: Nesër çojmë në Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e Bordit të Transparencës


Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka njoftuar në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar në kryesinë e Kuvendit se nesër do i drejtohen Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për shfuqizimin e Bordit të Transparencës.

Sipas tij ky bord përbëhet nga një klub oligarkësh që paracaktojnë çmimet e larta të karburanteve sipas interesave të tyre.

“Shqipëria është në krye të listës për çmimet e larta të hidrokarbureve. Çmimi i naftës paracaktohet nga klubi i oligarkëve.

Dua të informoj opinionin publik se grupi i PD ka përgatitur dhe nesër do të paraqesim kërkesën për shfuqizimin e dy ligjeve për funksionin e bordit të transparencës.”– u shpreh Alibeaj.

Në këtë mbledhje ai foli për prioritetet e PD-së për sesionin e ri parlamentar. Sipas tij, prioritetet do të jenë të ndara në tre shtylla, përfshirë këtu reformën legjislative, mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe kontrollin parlamentar.

Duke u ndalur te reforma zgjedhore dhe territoriale, Alibeaj tha se është prioritet përfundimi i këtyre para zgjedhjeve lokale të vitit 2023.