Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Skavica s’duhet të ndërtohet, rrezikon zhdukjen e Dibrës


Kreu i PD-së Berisha bëri thirrje për mosndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.

Në një bashkëbisedim me banorë të zonës ai tha se ndërtimi i digës së këtij hidrocentrali përmbyt dhjetëra fshatra rrezikon gjithë zonën.

Berisha tregoi se i ishte ofruar ndërtimi i hidrocentralit në vitin 2005 kur ishte kryeministër por e kishte hedhur poshtë propozimin për shkak të dëmit të madh që shkakon ai në zonë.

Po kështu ai i bëri thirrje edhe kompanisë që është parashikuar të ndërtojë HEC-in që të tërhiqet nga projekti.

“Dibra ka një rrezik tjetër, të cilin dua ta diskutoj me ju. Dibra ka rrezikun real të zhdukjes nga diga e Skavicës. Dua t’u rrëfej ju të vërtetën. Në vitin 2005 u zgjodha kryeministër. Më vjen një kompani italiane, njëshi i ndërtimit të HEC-eve në Itali dhe më thonë z. kryeministër ne kemi kontratën të firmosur me Fatos Nanon për të ndërtuar HEC-in e Skavicës. I them kontratën e ke, por unë me shumë keqardhje asaj kontrate nuk mund t’i qëndroj kurrë. Më thotë pse. I them zotëri po të shkosh ti atje dhe të bësh një vizitë në atë rreth ti do bindesh se ai HEC nuk mund të ndërtohet. Më dëgjoi, por ai u kthye pas një muaji me grupin financiar më tha kishe të drejtë, nuk përmbytej ajo zonë. Të ngrihesh sot me mendjen e Enver Hoxhës, i cili ishte ai që ishte dhe që kishte vendosur t’i merrte 40 fshatrat e luginës së Drinit dhe t’i çonte në Hoxharë, por atje nuk i doli toka tamam, plani dhe të thuash se po ndërtoj dhe po përmbyt për Dibrën dhe për Shqipërinë, hyn në histori si një nga kriminelët më të mëdhenj të historisë. Si ka mundësi të firmosësh për të përmbytur mbi 6 mijë hektarë tokë buke, për të shpërngulur 37 apo 40 fshatra. Shqipëria është vendi më me diell, mund të ndërtojë panele diellore, jo po tani duhet të mbytim Dibrën, jo Dibrën nuk do ta mbytim. Ndaj jam këtu për t’u bërë thirrje dibranëve të mbrojmë Skavicës dhe mos lejojmë ndërtimin e Skavicës, nuk mund të zhduket Dibra. I bëj thirrje kompanisë  i them se mbetem mirënjohës përjetë për Rrugën e Kombit, por i kërkoj të rishikojë dhe të tërhiqet nga projekti, është projekt antinjerëzor dhe antikombëtar, mos u mashtro nga Edi Rama sepse ne do bëjmë gjithçka për të mbrojtur Dibrën.” – tha Berisha.