Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohet kostoja e taksës së re të gazit në Gjermani


Taksa e re e gazit e Gjermanisë thuhet se do u kushtojë konsumatorëve deri në 600 euro në vit, raporton Reuters, duke cituar burime të industrisë dhe qeverisë.

Sipas raportit, taksa do vendoset nga dy deri në tre euro cent për kilovat orë, që sipas llogaritjeve do përfaqësojë nga 400 deri në 600 euro shpenzime shtesë për një familje mesatare katër anëtarëshe në vit.

Masa u prezantua në fillim të këtij muaji nga qeveria e Gjermanisë, organi kryesor ekzekutiv i vendit.

Autoritetet planifikojnë të vendosin taksën nga tetori 2022 deri në prill 2024 në një përpjekje për të shpërndarë 90% të kostove shtesë të importuesve, për shkak të furnizimeve të pakësuara nga Rusia, midis familjeve gjermane dhe konsumatorëve industrialë.

Berlini nuk ka zbuluar ende koston përfundimtare të taksës. Operatori gjerman i tregut të gazit, Trading Hub Europe, pritet ta shpallë taksën më vonë të hënën.

Gjermania po përpiqet të ruajë mjaftueshëm gaz për sezonin e ardhshëm të ngrohjes, një proces i cili po rezulton i vështirë për shkak të konfliktit në Ukrainë dhe sanksioneve ndaj Rusisë, si dhe vështirësive teknike në objektet e transportit të gazit të Rusisë.

Objektet e magazinimit të gazit në Gjermani janë aktualisht pak mbi 70% të mbushura. Sipas një rregulloreje të fundit, megjithatë, ato duhet të jenë të paktën 75% të mbushura deri më 1 shtator, 85% të mbushura në 1 tetor dhe 95% të plotë në 1 nëntor.