Vendosni fjalën kyçe....

Debati në Kosovë për mbajtjen e shamisë në shkolla


Këtë muaj në Kosovë është rikthyer debati për të lejuar shamitë në shkolla, ku çdo ditë një politikan, aktivist, artist përfshihet në diskutime.

Dhe si gjithmonë në këtë debatë ka pro dhe kundër.

Debati erdhi si kërkesë nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) si dhe e ish-këshilltarit të kryeministrit Albin Kurti, drejtuar qeverisë.
Që nga viti 2014 në Kosovë ekziston një udhëzim administrativ i Ministrisë së Arsimit, që ndalon mbajtjen e shamisë në shkolla. Por BIK kërkon të zhbëhet kjo pasi e konsideron të padrejtë dhe diskriminuese.

Ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurit, juristi Durim Berisha i ka drejtuar Ministrisë së Arsimit një kërkesë për anulim të nenit kontestues të Udhëzimit Administrativ. Dhe në rrjetet sociale ai ka nisur një fushatë me fotografi me hashtag: #ndryshojeni_ua_per_shaminë.

Deputetja Duda Balje

Ndër personat e përfshirë më shumë në këtë debat është deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje.

Në një intervistë për Euronews Albania, Balje tha se për vajzat myslimane shamia është një mënyrë jetese.

“Feja në islam nuk bëhet me dhunë dhe presion, për to është diçka normale. Ato nuk dinë të jetojnë pa shami, në fund të ditës ne kemi një fëmijë që në shtëpi jeton me shami dhe ne i themi nëse do të edukohesh, duhet të heqësh shaminë.”- është shprehur Balje.

Analisti Xhevdet Pozhari

Deklarata e deputetes Balja sa ka marrë duartrokitja ka marrë po aq kritika. Analisti Xhevdet Pozhari thotë se Balje po tenton që përmes temës së ‘shamisë’ të fitojë vota.

“Po, dhe ti je shembulli i përkryer! Rekordmene e shpenzimit të karburanteve, rekordmene e mungesave në komisione parlamentare, rekordmene e udhëtimeve zyrtare. Pa i “zhdryp” pushtetit kurrë.

Dhe, del e fol për shami me ymytin me mbledh naj votë. Mashtruese ordinere.”– është shprehur ai.

Gazetari Adriatik Kelmendi

Debatit i është bashkuar edhe gazetari Adriatik Kelmendi, i cili shkruan për burrat që, sipas tij, po bëjnë fushatë për t’i mbuluar gratë.

“U kënaqën burrat duke bërë fushatë për t’i mbuluar gratë! Pse mos ta qesin nga një shami edhe për vete këta?! Le ta provojnë si është mbuluar në 38 gradë celzius.”– ka shkruar Kelmendi i cili kërkon që t’i lënë gratë të flasin vetë për atë që duan.

Gazetari Enver Robelli

I njëjtë është përfshirë në debat edhe gazetari Enver Robelli, i cili pyet se përse nuk mbulohen vetë së pari burrat myslimanë.

Ai thotë se shamia është traumë e burrave fanatikë që çdo grua e shohin vetëm si objekt seksual dhe me problemet e tyre nuk duhet të merret shteti por psikiatria.

“Në vend se t’i detyroni gratë të mbulohen e shndërrohen në figura pa personalitet, pse ju, burra fanatikë të ymetit mysliman, nuk mbuloheni vetë? Pse? Nëse koka e gruas është e turpshme, pse nuk qenka koka e burrit fanatik e turpshme? Ndoshta sepse është boshe? Pse koka e gruas të mbulohet dhe jo edhe e burrit? Pse flokët e gruas qenkan të turpshme dhe flokët e burrit të paturpshme? Shamia nuk është, në thelb, shqetësim i grave. Shamia është traumë e burrave fanatikë që çdo dykëmbësh e shohin vetëm si objekt seksual. Me problemet e këtyre burrave nuk duhet të merret shteti, por psikiatria. Shteti duhet të jetë neutral ndaj të gjitha feve.”- shkruan ai në rrjetet sociale.

Analisti Sadri Ramabaja

Ramabaja e ka cilësuar këtë debat një tejkalim të kompetencave nga bashkësia islame në Kosovë, që sipas tij po kalon në agjenda politike.

Sipas analistit Ramabaja kërkesa që nxënëset në shkolla të mbajnë shami në një periudhë të vështirë për vendin, dëshmon një axhendë politike që përçan bashkësinë.

“Kreu i bashkësisë islame të Kosovës që është në shërbim të axhendave të Serbisë dhe Turqisë, duhet të kthjellohen se interesi nacional është në pikëpyetje dhe hapja e temave të tilla përçan bashkësinë është në kundërshtim me frymën kushtetuese të vendit.”– tha ai në një debat televizv.

Profesori Blerim Latifi

Profesori i Filozofisë, Blerim Latifi është rrestuar kundër mbajtjes së shamisë në këtë debat duke thënë se burrat po i trajtojnë gratë si pronë, dikur s’i linin të shkonin në shkolla ndërsa sot duan t’i mbulojnë.

“Dikur nuk i lejonin me shku në shkollë, pastaj, në një kohë tjetër, i helmonin në shkolla, pastaj erdhi një kohë kur i vrisnin, i masakronin e i përdhunonin, e sot, sot në liri, po duan t’i zezojnë, t’i mbulojnë, t’i arabizojnë, t’u vënë në ballë shenjën e të qenit pronë e burrave primitive”, ka shkruar Latifi.

Ai thotë se politikanët heshtin sepse “kalkulojnë në vota”. Por po heshtin dhe intelektualët sipas tij.

Profesori Nezir Kraki

Profesori dhe ligjëruesi në Universitetin e Parisit Nezir Kraki, është përfshirë gjithashtu në debatin për shaminë.

Ai thotë se “Shamia mbi kokën e një vajze nën 18 vjeçe, është thjeshtë dhunë direkte mbi të drejtën e asaj vajze për të qenë fëmijë. Është perde e zezë mbi dritaren, nga e cila ndërrohet dhe imagjinohet e ardhmja. Ajo dritare nuk duhet të mbulohet.”

Kraki shton se shteti e shoqëria e kanë detyrim që, para çdo lirie tjetër, personave nën moshën 18 vjeç, t’u garantojnë të drejtën për të qenë fëmijë sikurse e kanë detyrim t’u kërkojnë prindërve që ajo e drejtë të mos cenohet.

Por çfarë thotë kryeministri Albin Kurti?

Kryeministri Albin Kurti është shprehur pro. Ai ka deklaruar sot se qëndrimi i tij personal është që shamitë duhet të lejohen prej moshës 16-vjeçare, por shtoi se Ministria e Arsimit është duke ndjekur me vëmendje çështjen e ngritur. 

“Qëndrimin tim, e kam thënë para shumë viteve, e qëndrimi është që nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementëve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve, duhet të jenë të lirë, por gjithashtu kam thënë se mosha 16-vjeçare është pragu dhe në moshën 16-vjeçare ne e shohim si prag për shumë gjëra të cilat kanë ndodhur por edhe të cilat do të duhej të ndodhin.”– deklaroi Kurti.