Vendosni fjalën kyçe....

Arrihet armëpushimi në Gaza


Izraeli ka shpallur një armëpushim midis forcave të tij dhe Xhihadit Islamik Palestinez (PIJ), që ka hyrë në fuqi në orën 23:30 të natës së mbrëmshme.

Marrëveshja u jep fund tre ditë sulmesh ajrore dhe sulmesh me raketa, të cilat lanë udhëheqjen e PIJ-së të shkatërruar dhe dhjetëra palestinezë të vdekur.

Në një deklaratë zyrtare, Drejtoria e Diplomacisë Publike të shtetit hebre tha se do ndalonte fushatën e saj ajrore në Gaza, por do godiste ‘me forcë’ nëse prishet armëpushimi.

“Ne nuk do të lejojmë asnjë palë të shqetësojë jetën e përditshme të banorëve në Izrael.” – thuhet në deklaratë.

Konfirmimi erdhi menjëherë pasi PIJ tha se kishte rënë dakord për marrëveshjen, e cila u negociua nga ndërmjetësit egjiptianë.

Para njoftimit, PIJ lëshoi ​​raketa në Izrael, nga të cilat 96% u kapën nga sistemi i mbrojtjes raketore Iron Dome, thanë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF).

Operacioni ushtarak filloi me një sulm ajror në një bllok apartamentesh në Gaza që vrau komandantin e lartë të PIJ Taysir al-Jabari. Sulmet e tjera kishin në shënjestër pikat e vëzhgimit, magazinat dhe vendet e nisjes së grupit, ndërsa një tjetër komandant i lartë i PIJ u vra nga një sulm ajror të shtunën mbrëma, tha IDF të dielën.

Zyrtarët palestinezë thonë se të paktën 41 persona janë vrarë në Gaza që nga e premtja, mes tyre gjashtë fëmijë, ndërsa më shumë se 265 janë plagosur. Izraeli ka mohuar përgjegjësinë për të paktën nëntë nga këto vdekje, për të cilat IDF fajësoi një raketë palestineze që ra pak pas lëshimit.