Vendosni fjalën kyçe....

Replikat/ Rama: I shite naftë Serbisë, ik ‘non grata’, mbaroi histora jote. Berisha: Ti shisje ikona të vjedhura në Paris kur luftohej në Kosovë


Kryeministri Rama e kreu i PD-së Berisha janë përfshirë në replika të forta në seancën e sotme në Kuvend.

Demokrati e akuzoi kreun e qeverisë si hajt ikonash e shitës ikonash të vjedhura në Paris në kohën e Luftës së Kosovës.

Po kështu ai tha se Rama ka ikona të vjedhura në shtëpinë e tij në Surrel.

“Kur ky hallaçi 2 metra i gjatë shiste ikona të vjedhura në Paris, Kosova mbulohej me gjak. Kosova mbulohej me gjakun e bijve të saj. Kur ky shiste ikona të vjedhura në Paris, mbahej me ikonat e vjedhura, në sarajet e Surrelit ka ikonat e vjedhura. Shkoni pyesni Fatos Nanon. Kur ky dymetroshi është siç është, mund t’i them shumë fjalë, por nuk dua, i them vetëm kaq: Kur djemtë e Kosovës derdhnin gjak ti shisje ikonat e vjedhura dhe spiunoje emigrantët në Paris. Po, po. Kur Partia Demokratike shpallte moton ‘një komb, një qëndrim’ dhe mbështeste UÇK-në, ti shisje ikona të vjedhura o mjeran. Edhe çdo kurorë po more, përsëri mbetesh një hajdut ordiner që e nise jetën tënde duke shitur ikona të vjedhura.” – tha Berisha.

Ndërkohë Rama iu kthye Berishës duke e akuzuar se ka furnizuar me naftë makinerinë e luftës së Millosheviçit duke e quajtur ‘non grata’.

“Ju e furnizuat Milloshviçin. Je i padëshirueshëm, ‘non grata’. Ik tani, mbaroi historia jote. Dil nga ana tjetër dhe bëje çorapin çorap. Të vjen historia përpara dhe thotë prit se ‘ti mendon se je për i fortë por historia është më e fortë se kurrë’. Ja ku të vjen historia edhe me raportin e Dick Marty-t. Si nisi kjo punë? Nga Kremlini! Si vazhdoi? Ju na e paskeni votuar. I padëshirueshëm për kë? Për Sllobodanin? Jo për SHBA-të. Partia Demokratike që tani është një tufë varkash druri që vini këtu dhe ju gënjen mendja se përballeni me një anije. Një tufë varkash me lopata jeni. Oqeanin e harruar disa, do harroni edhe Gibraltarin, dhe shumë shpejt do harroni dhe Adriatikun. Të mbyllet kontinenti” – iu përgjigj Rama.