Vendosni fjalën kyçe....

Rama akuza të rënda Top Channel-it: Rol destruktiv, të papranueshëm për sulmin kibernetik. Fushatë dizinformimi duke shkaktuar panik


Kryeministri Rama kë bërë akuza të rënda ndaj Top Channel-it duke thënë se media në fjalë ka luajtur një rol destruktiv dhe të papranueshëm lidhur me sulmin kibernetik.

Gjatë një deklarate për mediat nga Kryeministria, kreu i qeverisë tha se nuk e kupton arsyen pse Top Channel është përfshirë në një fushatë dezinformimi masiv duke krijuar panik.

Ai tha se të gjitha deklaratat e medias në fjalë për sulmin kanë qenë të pavërteta ndërsa shtoi se edhe pse hedhja e mediave në gjyq nuk është praktikë e qeverisë, nuk mund të gjendet sipas kreut të qeverisë mënyrë tjetër për të adresuar lajthitje të këtyre përmasave.

Top Channel publikoi dje një shkrim ku theksonte se hakerat kishin kërkuar 30 milionë dollarë në Bitcoin për të çliruar faqet ndërsa hidhte dyshimet se shumë dokumente mund të ishin shkatërruar gjatë sulmit kibernetik.

Menjëherë kryeministri Rama e përgënjeshtroi lajmin dhe Top Channel ndryshoi titullin e shkrimit por në brendësi nuk e hoqi pjesëne gjobës 30 milionë dollarë.

Roli i disa burimeve të informacionit me në krye Top Channel-in ka qenë një rol destruktiv dhe i papranueshëm për një shoqëri demokratike të informacionit dhe të fjalës së lirë. Nuk e kuptojmë arsyen pse Top Channel është angazhuar edhe me gjithë thirrjen time personalisht publike, edhe me shprehjen e shqetësimeve të drejtpërdrejta për Top Channel-in në një fushatë dizinformimi masiv që faktikisht në kushtet kur bëhet fjalë për të dhëna, kur bëhet fjalë për shumëçka që lidhet me bazën e shtetit, me inventarin e dokumenteve, krijon panik. Dhe nuk është në praktikën tonë që të marrim hapa gjyqësorë ndaj mediave por është e pamundur të gjehet se pse dhe për më tepër se si mund të adresohen sidomos në raste të tilla, lajthitje të këtyre përmasave.

Nuk dua të ngre asnjë teori konspiracioni se boll i ka ngritur Top Channel-i edhe kush e ka ndjekur pas për të thënë gjëra krejt të pavërteta, jo është vënë një gjobë 30 milionë euro dhe qeveria duhet ta paguajë. Jo janë zhdukur pronat, janë zhdukur këto e ato dhe ndërkohë duke ju thënë nga kanalet institucionale të komunikimit se këto janë të pavërteta sepse ky është një sulm, një bombardim që nuk vjen nga qielli por përmes internetit. Shumë i rëndë dhe koha e marrë për të ringritur të gjitha sistemet është rekord.” – tha Rama.