Vendosni fjalën kyçe....

Momenti kur deputeti i opozitës maqedonase i vë flakën propozimit francez (VIDEO)


Një deputet i opozitës në Maqedoninë e Veriut, ka grisur dhe djegur propozimin e Francës në foltoren e Kuvendit, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë.

Ky është momenti kur deputeti i VMRO-DPMNE-së, Jovan Jauleski, i ka vënë flakën dosjes me përmbajtjen e këtij propozimi dhe është duartrokitur nga ana e kolegëve të tij opozitarë.

Ai tha: “Ne jemi maqedonas nga Maqedonia, të cilët kemi gjuhën, traditën dhe kulturën, zakonet dhe veçoritë tona”.

Nga foltorja e Parlamentit ai theksoi: “Në fund të këtij cirku, një mesazh për të gjithë. Shumë pushtues e kanë shkelur këtë tokë, kanë vuajtur shumë mbi të gjithë popujt që jetojnë në Maqedoni, por asnjë ushtri apo pushtues nuk ka arritur të na shkatërrojë. Nëse mendoni se kjo do të na bëjë më të dobët, e keni gabim. Ne do të jemi më të fortë dhe këmbëngulës. Askush nuk ka mundur një komb, ky komb jeton dhe do të jetojë. Rroftë Republika e Maqedonisë”.

Pas kësaj ai tha: “Ky propozim duhet të përfundojë kështu” dhe dogji letrën. Jauleski beson se me pranimin e propozimit francez, Maqedonia nuk do të hyjë kurrë në BE.

Kolegu i tij Dragan Kovacki iu drejtua më pas deputetëve të shumicës qeverisëse me fjalët “tradhtarë, të degjeneruar”, dhe iu tha se nuk e meritojnë të quhen maqedonas.

Pas këtyre zhvillimeve, kryeparlamentari Talat Xhaferi u detyrua të ndërpriste punimet e Parlamentit.