Vendosni fjalën kyçe....

Deklarata e fortë e Dritan Abazoviç: Jam gati të jap dorëheqjen


Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç thotë se është gati të japë dorëheqjen pas zgjedhjes së organeve të drejtësisë. Kjo pasi një gjë e tillë iu kërkua nga Kryesia e Partisë Demokratike të Malit të Zi.

Në një intervistë, Abazoviç tha se në parim e mbështet qëndrimin e Kryesisë së Malit të Zi Demokratik, e cila i bëri thirrje Kuvendit që të mos shqyrtojë iniciativat e mundshme për shkurtimin e mandatit para se të zgjidhen katër anëtarë të Këshillit Gjyqësor dhe së paku një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

“Të gjithë duhet të kemi një konsensus më të gjerë për zhbllokimin e gjyqësorit, të Gjykatës Kushtetuese, të drejtësisë… Le të kontribuojmë të gjithë për këtë. Po shkojmë për zgjedhje të reja, qeveri, rindërtim apo ndonjë model tjetër, por para kësaj, le të bëjmë një punë të përbashkët.

Nëse kolegët demokratë e kërkojnë, nëse e kam interpretuar saktë njoftimin, nëse është në ndonjë mënyrë tjetër… Unë jam gati të jap dorëheqjen.”-ka deklaruar Abazoviç sipas B92.

I pyetur nëse ka ardhur koha t’ia dorëzojë stafetën dikujt tjetër, Abazoviç ka thënë se ajo që ka propozuar qeveria po funksionon.

“Mali i Zi ndryshon në shumë mënyra nga 30 gushti 2020 dhe të gjitha proceset që ndodhën nuk kanë ndodhur në dëm të Malit të Zi. Ky ishte detyrimi ynë. Ndonjëherë ndihemi të vetmuar në mbrojtjen e Malit të Zi civil, kjo shfaqet shpesh, por më e rëndësishmja është që procesi të vazhdojë dhe askush nuk mund ta ndalë atë.”- tha Abazoviç.