Vendosni fjalën kyçe....

Braçe i kthehet Krifcës: Bërtas se nesër para fermerëve do dal unë të kërkoj vota


Ish-zv/kryeministri Erion Braçe debatoi sot në Kuvend me ministren e Bujqësisë Frida Krifcën.

Pasi ajo i tha që nuk ka nevojë të bërtasë, Braçe tha se do të vazhdojë të ngrejë zërin për fermerët sepse nesër do të jetë ai që do të shkojë t’u kërkojë vota.

Braçe tha se disa grumbullues të cilët i konsideroi pjesë të një “karteli” bëjnë lojë të dyfishtë në kurriz të bujqve duke i shitur prodhimet në Kosovë me çmime qesharake.

“Davidi është një djalë 28-vjeç ndërkohë që Bledi është një djalë 33-vjeç që ka ndryshuar disa biznese me radhe. Kësaj radhe duke qenë se na dëgjojnë ne u futën me kokë te biznesi i shalqinit. Nëse ju nuk dëgjoni ata, do vij unë këtu të bërtas sepse para atyre do dal nesër unë. Do kërkoj vota unë. Dhe unë nuk kërkoj vota pa fytyrë.

Unë përmend emra sepse këta janë pjesë e një karteli që po bëjnë një lojë të ndyrë pa fund në kurriz të bujqve të Divjakës dhe Lushnjes. Këta nuk grumbullojnë për 5-6 ditë me radhë. Dhe pastaj po këta shesin në Kosovë me këto çmime qesharake dhe prej andej bëjnë eksportin me çmimet që shiten sot në Europë. Doni Fruits ka shitur me 22 cent në Zvicër, Në Kosovë ia shet vetes me 12 cent. Fraeno shet në Slloveni. Gazmir Kavaja shet me 00.7 cent.

Si i del që grumbullon atje me 7 lekë. Si i del? Gazmir Kavaja brenda të njëjtës ditë shet në Holandë me 18 cent. Nga 7 në 18 cent. E kuptoni lojën që po bëjnë? Pse duhet të marrë rrugën Davidi ku duhet të merret me familjen dhe tokën e tij. Pse ai tjetri duhet të emigrojë në moshën 37 vjeç? Ky është shqetësimi im. Prandaj bërtas unë zonjë.”– u shpreh deputeti socialist.

Ky reagim i Braçes, vjen pasi ministrja Krifca i kërkoi të mos ngrinte zërin, pas një debati në lidhje me kushtet që ofron tregu për prodhimin vendas.

Braçe përmendi me emra disa nga kompanitë që sipas tij abuzojnë në treg. Por Krifca tha se kjo ishte e panevojshme.

“Nuk e kuptoj pse duhet bërtitur ndërkohë që unë jam një hap larg dhe mund t’ju dëgjoj. Këto nuk janë surprizë dhe as i kam krijuar unë, Unë prisja nga kolegët e mi që të dënojnë atë që opozita bëri javën e kaluar. Zonja këtu ishte prezent.

Për këtë gjë do prisja pak mirëkuptim nga ju. Nuk ka ndodhur kurrë që ne të kemi pasur në skemën kombëtare 30 mijë përfitues në datën 7 korrik. Skema është përthithur 10-15%. Mund të bëjmë analizën se sa fermerë kanë aplikuar. Keni shumë të drejtë të kërkoni më shumë buxhet. Duhet më shumë buxhet por ky vit ka buxhetin më të lartë ndonjëherë, ne i kemi ftuar aplikantët por ka disa kritere përjashtuese.

Duhet të plotësojnë faturat dhe t’i sjellin. Nuk mund të paguajë AZHBR pagesa ndaj fermerëve në rënie të lirë. Nuk jam dakord me përmendjen e emrave të subjekteve këtu. Ministria ka në dorë instrumente, kur çmimi përcaktohet nga oferta dhe kërkesa. Unë do preferoja të orientojmë politikat tona aty ku ne mund të dimë të bëjmë punën tonë.”- tha Krifca.