Vendosni fjalën kyçe....

Çekia do monitorojë hapësirën ajrore të Sllovakisë, shkak ndalimi i përdorimit të avionëve MiG-29


Duke filluar nga shtatori, Republika Çeke do të dërgojë avionë luftarakë për të patrulluar hapësirën ajrore të Sllovakisë fqinje, tha më 3 korrik kryeministri çek, Petr Fiala.

“Unë nuk shoh ndonjë problem”, tha ai. “Qeveria me siguri do ta miratojë këtë”.

Sllovakia më herët u kërkoi aleatëve të NATO-s që të patrullojnë qiellin e saj, pasi vendosi të ndalojë flotën e saj të avionëve luftarakë MiG-29 të prodhimit rus.

Bratislava synon të dërgojë MiG në Ukrainë për të ndihmuar Kievin të luftojë pushtimin rus. Sllovakia porositi 14 avionë luftarakë F-16 nga Shtetet e Bashkuara në 2018 për të zëvendësuar MiG-ët e saj dhe aeroplanët e parë ishin planifikuar të mbërrinin këtë vit. Megjithatë, vonesat e papritura e kanë shtyrë atë datë për vitin 2024.

Sllovakia ka ofruar mbi 154 milionë euro (160.6 milionë dollarë) ndihmë ushtarake për Ukrainën që kur nisi pushtimi rus në shkurt.