Vendosni fjalën kyçe....

Kumbaro i përgjigjet Metës për Butrintin: Deklaratat e presidentit të pasakta, të pavërteta


Ministrja e Turizmit Kumbaro i është përgjigjur presidentit Meta, i cili dje sqaroi arsyet e kthimit në parlament të ligjit për koncesionin  e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Kreu i shtetit në një nga argumentet e dhëna tha se shtetit nuk mund të heqë dorë nga përgjegjësitë që i ngarkon Kushtetuta kur vjen puna te pasuritë kombëtare e trashëgimia kulturore e historike.

Në një reagim ditën e sotme shefja e Turizmit shkruan se deklarata e presidentit Meta është e pasaktë dhe e pavërtetë.

Sipas saj, shteti nuk ka hequr dorë nga përgjegjësitë kur bëhet fjalë për trashëgimitë kulturore.

“E konsideroj këtë deklaratë të pasaktë, të pavërtetë. Shteti nuk heq dorë nga asnjë përgjegjësi kur flitet për trashëgimitë kulturore publike. Edhe nëse në arën e një bujku që është pronë private e bujkut dhe gjatë gërmimeve dalin vepra arkeologjike, ato janë me ligj pronë publike. Në të njëjtin ligj parashikohen dy forma të administrimit: direkte dhe indirekte. Direkte janë forma si parku i Apolonisë, Teatri i Operas dhe Baletit apo të tjera, me varësi nga Ministria e Kulturës. Është edhe një formë tjetër që janë fondacionet që janë e drejtë e çdo institucioni kulturor të pushtetit lokal apo qendror, të krijojnë fondacione kulturore që të tërheqin dhe fonde të tjera. Meqë përmendi Koventën e Parisit të Trashëgimisë Kulturore Presidenti, i kujtoj atij nenin 17 të kësaj konvente i cili thotë: “Neni 17 parashikon se shtetet palë të kësaj Konvente do të konsiderojne dhe inkurajojnë themelimin e fondacioneve ose shoqatave vendase publike dhe private qëllimi i të cilave është të ftojnë donacione për mbrojtjen e pasurisë kulturore dhe natyrore të përcaktuar në nenet 1 dhe 2 të Konventës.” Fondacioni është rasti kur dhurohen para për një destinacion të caktuar kulturor, me qëllime jo fitimprurëse.” – tha Kumbaro.