Vendosni fjalën kyçe....

Iris Ago emërohet në krye të luftës kundër pastrimit të parave


Iris Ago do të jetë drejtoresha e re e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, pasi Elvis Koçi është shkarkuar nga detyra.

Nuk dihet ende shkaku i shkarkimit të Koçit.

E emëruara e re Iris Ago, që prej muajit dhjetor 2021 punonte si Këshilltare në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Kush është drejtoresha e re?

Iris Ago ka lindur në Tiranë në vitin 1987. Ajo ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, dega Financë-Kontabilitet gjatë periudhës 2005-2009, dhe studimet master pranë Universitetit Europian të Tiranës.

Ajo ka mbajtur pozicionin e Drejtoreshës në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj nga 2020 deri më 2021. Ndërsa siç e përmendëm më lart, që prej muajit Dhjetor 2021 është emëruar në pozicionin Këshilltar në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Ndër vite Ago ka mbajtur të tjera detyra me rëndësi.

Gjatë periudhës 2017- 2020 ka drejtuar Drejtorinë e Kontrollit Tatimor, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Nga 2016- 2017 ka mbajtur detyrën e Këshilltarit pranë Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.