Vendosni fjalën kyçe....

Faqet qeveritare ukrainase bien nga sulmet kibernetike


Disa ueb-faqe të Qeverisë ukrainase dhe ueb-faqe të bankave të këtij shteti, nuk kanë pasur qasje më 23 shkurt. Qeveria në Kiev beson se kjo ndodhi për shkak sulmeve kibernetike.

Ueb-faqet e Parlamentit, Qeverisë dhe Ministrisë për Riintegrim të Territoreve të Okupuara ishin në mesin e ueb-faqeve që duket se ishin në shënjestër të sulmeve kibernetike.

Qeveria tha se sulmet duket se ishin të tipit DDoS, që nënkupton se në këto ueb-faqe ishin dërguar një numër i madh i kërkesave njëherësh, duke i larguar nga funksioni.

“Në orën 16:00 (sipas kohës lokale) nisi një sulm i madh DDoS ndaj shtetit tonë. Ne kemi të dhëna të rëndësishme nga një numër i bankave”, tha ministri i Transformimit Digjital, Mykhailo Fedorov.

Për shkak të sulmit kibernetik, ueb-faqet qeveritare ishin të paqasshme apo mezi funksionin. Autoritetet kishin ndërmarrë masa të sigurisë pas sulmeve paraprake kibernetike, që duket se kanë parandaluar që edhe ueb-faqet e tjera qeveritare të jenë cak i sulmeve.

Javën e kaluar disa ueb-faqe ukrainase ishin cak i sulmeve. Gjatë kësaj jave, autoritetet ukrainase thanë se kanë parë paralajmërime online nga hakerët që thoshin se do të nisnin sulme të mëdha ndaj agjencive qeveritare, bankave dhe sektorit të mbrojtjes.

Në sulmin e javës së kaluar u shënjestruan Ministria e Mbrojtjes, disa ministri të tjera dhe dy banka. Për ato sulme, Ukraina fajësoi Rusinë, por Moska mohoi çdo përfshirje.