Vendosni fjalën kyçe....

“Po më rrezikohet jeta e po baltosem padrejtësisht”- Jep dorëheqjen motra e Nuredin Dumanit e cila ishte pajisur me certifikatë sigurie


Jep dorëheqjen Xhuljana Dumani, motra e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, e cila jo vetëm ishte punësuar në ministrinë e Jashtme por gjithashtu ishte pajisur me certifikatë sigurie.

Të paktën kështu raporton televizioni “News 24”, disa orë pasi Ministria e Jashtme bëri një sqarim publik lidhur me certifikatën e sigurisë së zonjës Dumani.

Në letrën e dorëheqjes së publikuar nga “News 24”, Xhuljana Dumani thotë se po i rrezikohet jeta me ekspozimin e vendit të saj të punës apo dhe fotove si dhe po “baltoset padrejtësisht”.

“Prej së shtunës, 18 qershor 2022 jam bërë objekt i keqinformimi të opinionit publik nga disa media, mbi rrezikun që unë si individ paraqes për sigurinë kombëtare dhe institucionin që punoj prej pak muajsh si staf teknik.

Si rezultat i këtyre publikimeve të pavërteta, prej 48 orësh jam në rrezik për jetën dhe e ekspozuar publikisht, jo vetëm unë por edhe kolegë me të cilët punoj prej pak kohësh, e për të cilët do të ruaj vlerësimin tim maksimal.

E vërteta ime e vetme është përpjekja për të ndërtuar një jetë normale, larg profilit të vëllait tim, me dëshirën e një vajze 24-vjeçare, arsimuar me rezultate shumë të mira.

Për shkakun tim prej 48 orësh po akuzohet padrejtësisht edhe institucioni ku unë prej pak kohësh kam dhënë kontributin tim, në një detyrë tërësisht teknike, pa asnjë lidhje për sa pretendohet në media, për akses në dokumentacion të klasifikuar.

Jam baltosur në mënyrë të padrejtë e po vijoj të baltosem e të rrezikohen çdo orë e më shumë për shkak të publikimit të të dhënave të mia personale, fotografive, vendit të punës etj, duke ekspozuar seriozisht edhe persona të tjerë, ‘faji i vetëm’ i të cilëve është ndarja e orëve të punës me mua.

Duke i kërkuar ndjesë institucionit që për shkakun tim është sulmuar për ushtrim detyrash që nuk i kam kryer asnjëherë, më lejoni të jap dorëheqjen e parevokueshme dhe të menjëhershme nga detyra.”– shkruan Dumani.

E reja ishte përzgjedhur për të kryer praktikën 3-mujore në këtë dikaster si studente ekselente, emri i së cilës ka qenë pjesë e listës që kanë aplikuar për këtë program sjellë në MEPJ nga Ministria e Arsimit.

Ministria e Jashtme theksonte se Xhuljana Dumani nuk ka pasur akses në informacion të klasifikuar të NATO.