Vendosni fjalën kyçe....

Çfarë ka ndodhur së fundmi mes Ukrainës e Rusisë


Rusia tha se ka pushtuar një fshat pranë qytetit industrial të Ukrainës, Sievierodonetsk, një objektiv kryesor në fushatën e Moskës për të kontrolluar lindjen e vendit, pasi kreu i NATO-s parashikoi se lufta mund të zgjasë me vite.

Luftimet

Guvernatori i Luhanskut Serhiy Gaidai i tha televizionit ukrainas se ‘të gjitha pretendimet ruse se ata kontrollojnë qytetin janë një gënjeshtër. Ata kontrollojnë pjesën kryesore të qytetit, por jo të gjithë qytetin’. Ai shtoi se luftimet e bënë të pamundur evakuimin nga qyteti.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se Rusia dhe Ukraina kanë vazhduar bombardimet e rënda rreth Sievierodonestk ‘me pak ndryshime në vijën e frontit’.

Analistët në Institutin për Studimin e Luftës me qendër në Uashington shkruanin se ‘forcat ruse ka të ngjarë të jenë në gjendje të kapin Sievierodonetsk në javët e ardhshme, por me koston e përqendrimit të shumicës së forcave të tyre të disponueshme në këtë zonë të vogël’.

Në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, në veriperëndim të Luhanskut, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se raketat e saj Iskander kishin shkatërruar armatimin e ardhur së fundmi nga vendet perëndimore.

Një zyrtar i Ministrisë së Brendshme ukrainase tha se forcat ruse po përpiqeshin t’i afroheshin Kharkivit dhe ta kthenin atë në një ‘qytet të vijës së parë’.

Në Ukrainën jugore, armatimi perëndimor i kishte ndihmuar forcat ukrainase të përparonin 10 km (6 milje) drejt Melitopolit të pushtuar nga Rusia, tha kryebashkiaku i saj në një video të postuar në Telegram nga jashtë qytetit.

Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur raportet e fushëbetejës.

Diplomacia

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se lufta në Ukrainë ‘mund të marrë vite’ dhe Perëndimi duhet të vazhdojë të mbështesë Kievin, raportoi gazeta gjermane Bild am Sonntag.

Kryeministri britanik Boris Johnson paralajmëroi për nevojën për t’u përgatitur për një luftë të gjatë, që do të thoshte të sigurohej që ‘Ukraina të marrë armë, pajisje, municione dhe stërvitje më shpejt se pushtuesi’.

Burgimet

Dy komandantë të lartë ukrainas që mbronin fabrikën e çelikut Azovstal në portin juglindor të Mariupolit janë transferuar në Rusi për hetim, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS.

Gjermania njoftoi hapat e saj të fundit për të rritur nivelet e magazinimit të gazit për t’u përgatitur për sezonin e ardhshëm të dimrit, kur ajo ka frikë se Rusia, e cila ka shkurtuar furnizimet ditët e fundit, mund të pakësojë apo edhe të ndalojë plotësisht furnizimet.