Vendosni fjalën kyçe....

Detaje nga vrasja në Maliq/ 26-vjeçari dyshohet se u mbyt me litar dhe u hodh në rezervuar pas sherrit për vajzën e mitur


Martin Çeço

Mësohen emrat e tre personave për vrasjen e 26-vjeçarit Martin Çeço në Maliq.

Personat e ndaluar janë shtetasit Bleti Angjo, Valter Mollaj dhe Edlir Mollaj. Dy të fundit janë kushërinj.

Mes tyre dhe 26-vjeçarit dyshohet të ketë pasur një konflikt për një vajzë të mitur. Siç shkruan “Balkanweb”, dy kushërinjtë Mollaj dhe Bleti Angjo, nuk kanë lidhje familjare me vajzën e mitur, me të cilën pretendohet se kishte lidhje 26-vjeçari.

Sipas uniformave blu, të riun Martin Çeço e kanë mbytur dhe më pas e kanë hedhur trupin e tij në rezervuar, për të mbuluar ngjarjen dhe për të inskenuar një vetëvrasje të tij.

“Shërbimet e Policisë, pasi kanë nxjerrë nga rezervuari trupin e pajetë të 26-vjeçarit Martin Çeço, kanë krijuar dyshime se bëhej fjalë për një ngjarje kriminale, duke qenë se gjatë këqyrjes, në trupin e 26-vjeçarit, janë konstatuar shenja në pjesën e fytit.

Falë punës profesionale hetimore, provave dhe informacioneve të grumbulluara nga grupi hetimor, u dokumentua se tre shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 12.06.2022, kanë marrë viktimën Martin Çeço, në fshatin Kolanec, dhe pasi e kanë vrarë (mbytur), për motive të dobëta, kanë hedhur trupin e tij në rezervuar, për të mbuluar ngjarjen dhe për të inskenuar një vetëvrasje të 26-vjeçarit.”– tha policia.

Martin Çeço