
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, nis sot konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Takimi konsultativ pritet të mbahet në orën 15:00.
Një ditë më parë, Haxhiu ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.
Pas takimit, Radoniqi u shpreh se data 7 qershor konsiderohet më e favorshme për organizimin e procesit zgjedhor, duke theksuar se edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka përcaktuar se zgjedhjet mund të mbahen më 31 maj ose 7 qershor.
“Për mendimin tonë është 7 qershori, por i mbetet presidentes të vendosë”, deklaroi ai.
Radoniqi shtoi se data përfundimtare do të caktohet pas konsultimeve, ndërsa nënvizoi rëndësinë që KQZ të ketë kohën e nevojshme për përgatitjen e procesit. Sipas tij, buxheti për zgjedhjet pritet të jetë i përafërt me atë të zgjedhjeve të kaluara.