
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po kërkon përfshirjen e vendeve të tjera për të krijuar një koalicion ndërkombëtar që synon rikthimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, përcjell Reuters.
Sipas një dokumenti të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, iniciativa e re, e quajtur “Maritime Freedom Construct”, është miratuar nga sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe përfaqëson një bashkëpunim mes diplomacisë amerikane dhe Pentagonit.
Sipas planit, kjo nismë synon të krijojë një arkitekturë të re sigurie detare në Lindjen e Mesme, duke garantuar sigurinë energjetike, mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe ruajtjen e të drejtës së lundrimit në korridoret detare strategjike.
Roli i Departamentit të Shtetit do të jetë koordinimi diplomatik me vendet partnere dhe industrinë e transportit detar, ndërsa Pentagoni, përmes CENTCOM, do të menaxhojë në kohë reale trafikun detar dhe komunikimin me anijet që kalojnë në këtë zonë.
Në dokument theksohet se pjesëmarrja e vendeve mund të marrë forma të ndryshme, që nga mbështetja diplomatike dhe shkëmbimi i informacionit, deri te prania detare dhe zbatimi i sanksioneve.
Kjo iniciativë vjen në një kohë kur trafiku në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës dhe gazit, është reduktuar ndjeshëm për shkak të tensioneve dhe bllokimit të rrugës detare.