Vendosni fjalën kyçe....

Ekuadori nis nxjerrjen e naftës në Amazonë për herë të parë, ngre shqetësime për mjedisin



Ekuadori ka nisur për herë të parë nxjerrjen e naftës përmes “fracking”
 në pyjet e Amazonës, duke shënuar një moment të rëndësishëm për industrinë energjetike të vendit, përcjell DW.

Sipas kompanisë shtetërore Petroecuador, projekti i ri është vendosur në provincën Sucumbíos, pranë kufirit me Kolumbinë, dhe tashmë ka hyrë në prodhim të plotë, me mbi 930 fuçi naftë në ditë.

Autoritetet e kanë cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm për rritjen e prodhimit, në një kohë kur industria e naftës në vend ka pësuar rënie gjatë viteve të fundit për shkak të infrastrukturës së vjetëruar dhe mungesës së investimeve.

Projekti po realizohet në bashkëpunim me një degë të kompanisë kineze të naftës CCDC.

Fracking është një metodë që përdoret për të nxjerrë gaz dhe naftë nga nëntoka, duke çarë shtresat shkëmbore me presion të lartë uji dhe kimikatesh. Megjithatë, kjo teknikë është shpesh e kritikuar për ndikimin në mjedis, përfshirë ndotjen e ujërave, përdorimin masiv të burimeve ujore dhe rrezikun e mikro-tërmeteve.

Zgjerimi i kërkimeve për naftë, veçanërisht në Amazonë, ka shkaktuar shqetësime të mëdha te ambientalistët dhe komunitetet indigjene, të cilët paralajmërojnë për pasoja të rënda në ekosistem dhe në jetesën e tyre.

Qeveria e presidentit Daniel Noboa ka premtuar rritje të investimeve në sektorin energjetik dhe tërheqjen e kapitalit të huaj, duke e parë naftën si një burim kyç për ekonominë dhe eksportet e vendit.