Vendosni fjalën kyçe....

“Ne duam paqe” – Macron i bën thirrje Ukrainës që të rifillojë bisedimet me Rusinë


Presidenti francez Emmanuel Macron tha të mërkurën se homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelensky do t’i duhet të rifillojë negociatat me Rusinë në një moment.

“Ne duam paqe, që do të thotë se pasi të arrijmë një armëpushim, diskutimet duhet të rifillojnë.”- tha udhëheqësi francez gjatë një vizite në Rumani.

“Presidenti ukrainas do të duhet të negociojë me Rusinë dhe ne evropianët do të jemi të pranishëm në atë tryezë për të ofruar garanci sigurie.”– shtoi Macron sipas RT-së, gjatë konferencës së përbashkët për mediat së bashku me homologun e tij rumun, Klaus Iohannis.

Vizita e Macronit në Rumani përfshinte takime me liderët politikë dhe me trupat franceze të dislokuara në bazën ushtarake Mihail Kogalniceanu si pjesë e ngritjes së NATO-s në krahun e Evropës Lindore. Ai shpalli praninë prej 500 trupash të ushtarëve francezë si një “mesazh të qartë angazhimi” ndaj politikës së bllokut.

NATO ka rritur praninë e trupave në të gjithë Evropën Lindore, duke pretenduar se ishte e nevojshme për të penguar Rusinë nga sulmet. Moska e percepton rritjen e trupave të NaTO-s si konfirmim të armiqësisë së bllokut ndaj Rusisë dhe një shkelje të kufijve të saj.

Gjatë konferencës për shtyp, Macron përsëriti se armiqësia e zgjatur me Rusinë nuk ishte një zgjidhje e qëndrueshme afatgjatë për sigurinë evropiane.

“Ne evropianët ndajmë një kontinent me Rusinë dhe gjeografia është kokëfortë. Rusia është këtu sot, do të jetë këtu nesër dhe ishte këtu dje.”- tha ai.

Vizita e Macronit në Rumani mund të pasohet nga një udhëtim në Ukrainë, gjatë të cilit do t’i bashkohen kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri italian Mario Draghi.