Vendosni fjalën kyçe....

Nesër votimi për presidentin e ri/ Petrit Vasili: Ne do marrim pjesë, por votojmë kundër kandidatit të Ramës


Lëvizja Socialiste për Integrim ka konfirmuar pjesëmarrjen në seancën e posaçme që do të mbahet ditën e shtunë për votimin e presidentit të ri.

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili tha në një deklaratë për mediet se deputetët e kësaj force politike do të marrin pjesë, por do të votojnë kundër çdo kandidati të propozuar nga Partia Socialiste.

“Deputetët e LSI do të marrin pjesë nesër në seancë dhe do të votojnë kundër, gjymtyrës, dorës që Edi Rama do të çojë në Kuvendin e Shqipërisë nëpërmjet së cilës mendon dhe ka iluzionin se mund të shesë kufijtë e republikës së Shqipërisë.

Ky pazarxhi kufijsh, që i ka filluar pazaret me kufijtë e Kosovës, do t’i vazhdojë me kufijtë e Shqipërisë e së bashku me ‘Ballkanin e Hapur’ të tij është demonstruar si një kryeministër, anti shqiptar, anti patriot dhe nesër do që të shënojë një hap të ri në anti shqiptarizmin mafioz të tij. Ndaj qëndrimi do të jetë i pa kompromis, refuzues, kundërshtues si qëndrim legjitim dhe që është qëndrim që shpreh atë që populli shqiptar kërkon.”- tha Vasili.

Kujtojmë se më herët kreu i grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj tha se ai dhe deputetët mbështetës të tij nuk do të marrin pjesë në votimin për presidentin e ri. Ndërsa deputetët mbështetës të Sali Berishës do të votojnë, por njëlloj si LSI nuk do të mbështesin kandidatët që do të propozohen nga PS.