Vendosni fjalën kyçe....

Vrau 77 persona në Norvegji, Anders Breivik u dërgon letra të mbijetuarve dhe të afërmve të tyre


Vrasësi i 77 personave dhe terroristi i dënuar Anders Behring Breivik u ka dërguar letra që përmbajnë fragmente nga manifesti i tij për të mbijetuarit e sulmeve të tij dhe të afërmit e tyre, sipas mediave shtetërore norvegjeze.

Korporata Norvegjeze e Transmetimeve (NRK) zbuloi se anëtarët e ‘Grupit Mbështetës’ – një organizatë që mbështet të mbijetuarit dhe të afërmit e sulmeve terroriste të 22 korrikut 2011 – kishin marrë letra nga vrasësi i burgosur.

Mesazhet, të shkruara nga Anders Behring Breivik, përfshijnë një përshëndetje të shkruar me dorë në krye të një letre të hapur të prodhuar në masë. Në shumë prej letrave, sipas NRK-së, vrasësi përsërit mesazhet nga manifesti që kishte bërë para se të vriste 77 persona në një sulm të planifikuar në vitin 2011.

Letra drejtuar Grupit Mbështetës përbëhet nga tetë faqe me përmbajtje të rëndë të propagandës së supremacisë së bardhë. Mesazhe të ngjashme iu dërguan edhe Lidhjes Rinore të Punëtorëve – një divizion rinor i Partisë së Punës Norvegjeze (anëtarët e së cilës ishin në shënjestër në sulmin e vitit 2011) – plus përfaqësuesivet të parlamentit dhe të tjerëve që mbajnë poste publike.

Politikani norvegjez Torbjorn Vereide ishte mes atyre që morën letrën.

“Kam pasur një ngërç në stomak. Mendoj se ishte tmerrësisht e pakëndshme, të jem plotësisht i sinqertë,” tha ai për NRK. Vereide ishte mes atyre që u qëlluan nga Breivik.

“Ka diçka pak absurde tek dikush që të ka drejtuar armën dhe ka qëlluar dhe ka tentuar të të vrasë, tani të dërgon një letër”, tha ai për gazetën Frida.

Qeveria norvegjeze kishte vendosur të shtrëngonte komunikimet e Breivik mes shqetësimeve se ai mund të kontaktojë me njerëz që ndajnë të njëjtat ide me të. Në vitet deri në vitin 2016, Breivik dërgoi dhe mori rreth 3000 letra nga qelia e tij e burgut.

Në vitin 2011, Breivik kreu sulmin më vdekjeprurës në Norvegji që nga Lufta e Dytë Botërore. Më 22 korrik, ai vendosi një bombë në një furgon në lagjen qeveritare të Oslos; shpërthimi vrau tetë njerëz dhe plagosi qindra.

Më pas ai udhëtoi 40 km në veriperëndim nga kryeqyteti drejt ishullit të vogël Utoya, në liqenin Tyrifjorden, ku, i veshur si polic, hapi zjarr ndaj të rinjve të Partisë Laburiste të Norvegjisë. 69 persona vdiqën nga të shtënat, ndërsa rreth 500 mbijetuan, shumë prej të cilëve arritën të larrgohen me note.

Breivik u shpall i shëndoshë mendërisht dhe iu dha dënimi maksimal i lejuar, 21 vjet.