Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj: Skandal i madh, Rama po tenton t’i largohet hetimit për Investimet Strategjike


Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, kreu i grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj doli në një deklaratë për mediet ku theksoi rëndësinë e ngritjes së një komisioni hetimor për investimet strategjike.

Ai tha para gazetarëve se Partia Socialiste e rrëzoi kërkesën e përsëritur të PD-së, ndërsa shtoi se maxhoranca po tenton të fshihet pas një skandali të madh.

Sipas tij kjo dëshmon frikën që ka kryeministri Edi Rama nga transparenca.

“Ngritjen e komisionit hetimor, që është nga instrumentet më të rëndësishëm të opozitës. Ne ridepozituam kërkesën, tashmë jo me 35, por me 37 firma. Në mënyrën më antikushtetuese, antiligjore, nga ana e anëtarëve të maxhorancës në konferencë rrëzohet kjo kërkesë. Rregulli, Kushtetuta, e do që instanca e fundit që shprehet për ngritjen e një komisioni hetimor është seanca, por as këtë nuk e lejuan.

Me sa duket kjo ishte çështja që demaskoi qëndrimin e maxhorancës, investimet familjare strategjike, në kurriz të pasurive publike. Është një skandal i madh që me sa duket që është kryeministër i largohet si djalli nga temjani. E kisha për detyrë t’ua sqaroja këtë çështje, është e drejtë e opozitës e nëpërkëmbur. Kjo ishte ajo që ndodhi në anën e errët të Konferencës së Kryetarëve.”- tha Alibeaj.