Vendosni fjalën kyçe....

“Gara” brenda Partisë Demokratike – 93.4% që nxori Berishën në krye


Ashtu siç pritej, ish-kryeministri Berisha, do jetë kreu i ri i PD-së pas përfundimit të numërimit të votave në procesin zgjedhor që u zhvillua dje, i organizuar nga Komisioni për Rithemelimin.

Berisha arriti të marrë 93.4% të votave të hedhura në kuti. Në votim, sipas komisionit që administroi procesin zgjedhor morën pjesë 43680 demokratë, 40.840 prej të cilëve votuan Berishën. Kandidati tjetër në garë, Ibsen Elezi, mori 2532 vota ndërsa 328 të mbeturat ishin të pavlefshme.

Procesi zgjedhor për kreun e PD-së u organizuar nga Komisioni për Rithemelimin e PD-së ndërsa deputetët jashtë këtij grupimi nuk e kanë mbështetur atë duke e akuzuar Berishën se po i përçan edhe më shumë demokratët.

Zgjedhja e Berishës në krye të PD-së vjen mes muajsh përçarjeje mes demokratëve që prej shpalljes së tij non grata nga SHBA-ja e pezullimit të tij nga PD-ja prej ish-kryetarit Basha.

Që prej asokohe, demokratët janë të ndarë në tre grupime madhore, ata që mbështesnin Bashën e një pjesë e tyre i qëndrojnë linjës zyrtare të drejtuar nga kreu i grupit parlamentar Alibeaj,  ata që mbështesin Berishën e janë pjesë e Komisionit të Rithemelimit e ata që nuk bëjnë në asnjërin prej këtyre grupeve.

Muajt e fundit ish-kryeministri Berisha është përfshirë në një kurs përplasjeje me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim, me akuza e kundërakuza mes tyre.

Ky është rikthimi i tretë i Berishës në krye të selisë blu, pas nëntë vitesh pushim. Më herët ai është rikthyer në krye të selisë blu në vitin 1991 e në vitin 1997.

Në fjalën e tij mbrëmjen e djeshme pas fitores ai iu drejtua mbështësve në sallë e demokratëve në vend me shprehjen: ‘Ever say never’ (kurrë mos thuaj kurrë), teksa në vitin 2013, pas humbjes së zgjedhjeve ai u dorëhoq si kryetar i PD-së duke ia lënë stafetën Lulzim Bashës.

Stafetë të cilën e rimori mbrëmjen e djeshme.