Vendosni fjalën kyçe....

“Grushti i shtetit i mbështetur nga perëndimi dështoi” – Akuza e vendit afrikan


Një grup oficerësh nga Mali tentuan një grusht shteti javën e kaluar me ndihmën e një shteti perëndimor, ka njoftuar qeveria e Malit.

Ndërsa qeveria ushtarake nuk e emëroi fajtorin e huaj të supozuar, njoftimi vjen në mes të përkeqësimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve me ish-sundimtarin kolonial të Malit, Francën.

“Një grup i vogël oficerësh dhe nënoficerësh anti-progresivë të Malit u përpoqën të bëjnë një grusht shteti natën e 11-12 majit 2022.” – tha zëdhënësi i qeverisë, kolonel Abdoulaye Maiga në TV kombëtar të hënën në mbrëmje.

“Këta ushtarë u mbështetën nga një shtet perëndimor. Përpjekja dështoi falë vigjilencës dhe profesionalizmit të forcave të mbrojtjes dhe sigurisë së Malit.”

Qeveria denoncoi ‘sulmin e egër ndaj sigurisë së shtetit, qëllimi i të cilit është të pengojë, apo edhe të asgjësojë, përpjekjet thelbësore për të siguruar vendin tonë dhe për t’u kthyer në një rend kushtetues që garanton paqen dhe qëndrueshmërinë’ në Mali, por ofroi pak hollësi të komplotit të pretenduar.

Një burim ushtarak anonim i tha Al-Jazeera se rreth 10 persona janë arrestuar deri më tani. Qeveria ka konfirmuar se siguria në pikat e kontrollit rreth kryeqytetit është rritur në një përpjekje për të kapur bashkëpunëtorët që mund të jenë ende të lirë.

Pretendimet për grushtin e dështuar erdhën në të njëjtën ditë që Mali u tërhoq nga Forcat G5 Sahel, një përpjekje shumëkombëshe për t’iu kundërvënë militantëve islamikë në rajon. Grupi prej pesë anëtarësh i krijuar në 2017 përfshin edhe Çadin, Burkina Fason, Mauritaninë dhe Nigerinë.

Mali drejtohet nga presidenti i përkohshëm Assimi Goita, një kolonel i ushtrisë që udhëhoqi grushtin e shtetit të vitit 2020 kundër presidentit Ibrahim Boubacar Keita – si dhe grushtin e shtetit të majit 2021 kundër zëvendësuesit të tij Bah N’Daw.

Pas grushtit të shtetit të vitit 2021, qeveria e Goitës është akuzuar nga fuqitë perëndimore se ka ftuar kontraktorë ushtarakë privatë rusë për të ndihmuar Bamakon të luftojë militantët islamikë në veri.

Ndërkohë, marrëdhëniet e Bamakos me Parisin vazhduan të përkeqësoheshin. Me insistimin e Goitës, Franca tërhoqi trupat e saj nga Mali në shkurt. Vendi dëboi mediat shtetërore franceze në mars, duke i akuzuar ato për publikimin e raporteve të rreme rreth shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Në fillim të këtij muaji, Mali ndërpreu marrëveshjet e mbrojtjes me Parisin, duke përmendur ‘shkelje flagrante’ të sovranitetit të tij nga trupat franceze.