Vendosni fjalën kyçe....

Kokalari zbulon e-mail: Stafi i Pompeo sqaron foton me Alibeajn. Erdhi në Shqipëri dhe u pagua mbi 150 mijë dollarë


Aktivistja Evi Kokalari deklaroi në emisionin “Çim Peka Live” se ish-Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, erdhi në Shqipëri i ftuar për të mbajtur një fjalim dhe se është paguar për fjalimin që mbajti në aktivitetin e organizuar nga Taulant Balla.

Kokalari sqaroi edhe foton me Alibeajn duke nxjerrë email-in e stafit të Pompeos.

“Foto me Alibeajn, asnjë mesazh politik, si me të gjithë pjesëmarrësit”, është ky sqarimi që përmes e-mail ka marrë aktivistja Evi Kokalari nga stafi i ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, i cili gjatë vizitës në Tiranë, pati edhe një foto me disa deputetë të opozitës, mes të cilëve edhe Enkelejd Alibeaj.

Përmes një emaili drejtuar aktiviste së Partisë Republikane, Evi Kokalari, sot në orën 19:00, shefi i stafit të Pompeo sqaron se fotoja me deputetin Enkelejd Alibeaj ka qenë rutinë, njësoj si me të gjithë të tjerët, dhe pa asnjë mesazh politik.

Kokalari e bëri publik përgjigjen në emisionin “Çim Peka Live”, ku tha se Pompeo erdhi në Shqipëri i ftuar për të mbajtur një fjalim.

Ajo tha se Pompeo është paguar për fjalimin që mbajti në aktivitetin e organizuar nga Taulant Balla.

E pyetur për shumën që është paguar Pompeo, Kokalari tha se shuma ka qenë mbi 150 mijë dollarë. Kokalari tha gjithashtu se e dinte prej 6 javësh që Pompeo do vinte në Shqipëri.

Pjesë nga intervista:

Evi Kokalari: Fjalimet janë normale, paguhen. Unë e di sa paguhen në SHBA. 

Çim Peka: Sa paguhen? 50 mijë euro. 

Evi Kokalari: Jo, më shumë. 

Evi Kokalari: Unë kam qenë një hap para këtyre gjithmonë. Nuk ka qenë koncidencë pse kam qëndruar kaq gjatë në Shqipëri këtë herë. E dija që 6 javë më parë. Pagesa për fjalime dhe konsulencë është gjëja më normale. Unë i di çmimet e sekretarit Pompeo që merr në Amerikanë. 

Çim Peka: Është paguar më shumë se 150 mijë dollarë. 

Evi Kokalari: Po. Kontakti me ambasadën është normale. Janë në kontakt të vazhdueshëm me ambasadën. Dija që Pompeo ka qenë target nga këta të Iranit dhe ka qenë një nga shqetësimet më të mëdha, sepse imagjino nëse i ndodh diçka në Shqipëri. Në momentin që vjen, unë kam diskutuar mundësinë e një fjalimi të dytë, për të maksimalizuar produktivitetin dhe unë me ata po diskutoja ça mundësish do të kishte, me stafin më të lartë të Pompeo, dhe unë e dija që këta donin të bënin edhe diçka tjetër. Ka hyrë në lojë Taulanti. 

Arjan Curi: Si hyri në lojë Taulanti?

Evi Kokalari: Ata (stafi i Pompeo) i kanë thënë ambasadës mundësinë e një eventi të dytë. Unë i kam thënë nëse do të evitosh çdo problem të mundshëm në Shqipëri, evito opozitën komplet, mos tako asnjë. Gabimi që bëra unë është se nuk mora parasysh se këta mund të ishin në një konferencë. Aty është me pagesë. Edhe fotografitë aty janë me pagesë. Prapë ju them se kjo është gjëja më normale në Amerikë. Për eventin e dytë çmimi ishte më i lartë, trefishi i çmimit që merr Pompeo në New York.

Arjan Curi: Kush e ka paguar?

Evi Kokalari: E ka paguar një person që ka lidhje me Taulant Ballën. Ata kanë mbledhur dhe ftuar ata që kanë dashur ata.