Vendosni fjalën kyçe....

Berisha tregon ku janë bërë shkeljet te Inceneratorët: Ramës i del vendimi në gjumë


Në konferencën e sotme për mediet, Sali Berisha u shpreh se Rama po e sulmon drejtësinë pasi ai është i kapur në mega-aferën e inceneratorëve.

Ai bëri publike shkeljet në procedura që sipas tij janë bërë për tenderimin e inceneratorëve.

Berisha u shpreh se sekretari i Këshillit të Ministriave, Engjëll Agaci ka shkelur ligjin, pasi nuk ka kthyer tek ministria e Mjedisit procedurën, pasi ka qenë antiligjore.

 “Kam pasur bisedë me një avokat të famshëm amerikan të cilin presidenti Bush e emëroi ambasador të OSBE-së në Vjenë. Gjatë një dreke pas takimit që pati ai me kryeministra të asaj kohe të Shqipërisë më tha se unë kam pasur disa klientë miliarderë që kishin vjedhur. Problemi i tyre ishte se asnjëri prej tyre nuk donte që të mos vidhte më shumë. Donin që të vazhdonin vjedhjen. Kjo ndodh me këtë kryeministër dhe këta ministra.

Ramës nuk i rrihet më në Shqipëri po në kurriz të taksapaguesve shqiptare me avion në dispozicion ecën dhe udhëton si gjëja më e pavlerë e Europës. PSE? Do ju lexoj vetëm një nga psetë. Dhe kjo pse lidhet me aferën e djegave.  

Me datën 11.11.2014, ministri i Mjedisit Lefter Koka i drejton një shkresë Agjencisë së Prokurimit Publik për dhënien me koncesion të inceneratorit të Elbasanit.

Gjashtë ditë më vonë, Koka i drejton sërish një shkresë APP, duke kërkuar dhënien e mendimit për vendimin e sipërcituar. Një ditë më vonë, APP i kthen përgjigje ministrit Koka, duke cituar nenin 22 të prokurimeve publike për koncesionet dhe partneritetin publik-privat, sipas të cilat mund të përdoret vetëm njëra nga tri procedurat: e hapur, e negociuar dhe me shpallje paraprake. Procedura pa negocim dhe pa shpallje, ligji shqiptar nuk e njeh.

Don Agaçio u vu në dijeni për këtë. Ai e dinte se procedura e propozuar ishte e paligjshme. Sekretari i Përgjithshëm i mafias, në zyrën kryesore të mafias, të Edi Ramës, thotë se është shpallur procedurë, kur e gjitha ishte antiligjore. Detyra e tij është që të kthejë mbrapsht çdo projektvendim që bie në kundërshtim me ligjin. Duke mos e kthyer atë, ai ka shkelur ligjin.

Cila është pasoja? Ky vendim që i del në gjumë Edi Ramës. Kurrë një kryeministër nuk mund të firmoste për një kontratë dhe një aferë të tillë. Kjo është vetëm një aferë, aferat e tjera janë zinxhir.”- tha Berisha.