Vendosni fjalën kyçe....

“Të njohim gjenocidin në Srebrenicë”- Tritan Shehu dorëzon kërkesën në Kuvend


Disa deputetë të PD-së kanë dorëzuar sot në Kuvend një kërkesë për të miratuar një rezolutë që dënon gjenocidin në Srebrenicë.

Në një dalje për mediet nga Kryesia e Kuvendit, deputeti Tritan Shehu bëri njoftimin ku shprehu bindjen se Kuvendi do ta diskutojë dhe do ta miratojë këtë rezolutë.

“Një grup deputetësh dorëzuam një kërkesë për mocion me debat për një rezolutë për njohjen e gjenocidit në Srebernicë. Dikush mund të thotë i vonuar. Kuvendi i Shqipërisë nuk e ka njohur këtë gjenocid zyrtarisht. Prandaj ky hap në këto momente të trazuara merr një hap të rëndësishëm. Njohja e krimeve, ndëshkimi i shkaktareve janë elementë thelbësorë.

Një numër deputetesh të PD paraqitën një kërkesë në Kuvend, të bindur që Kuvendi do ta diskutojë, miratojë dhe çdo deputet është i mirëpritur të paraqesë amendamentet e tij që do t’i japë jetë kësaj rezolutë.”– tha Shehu.

Më pas ai paralajmëroi se shumë shpejt do të dërgojnë edhe dokumentacionin për të njohur masakrën serbe në Kosovë: “Shumë shpejt dokumentacionin tjetër, dosja tjetër për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë. Një element tjetër prevalues në këto momente që po kalon rajoni.”