Vendosni fjalën kyçe....

Boçi: Alibeaj gati të ulet në çdo kohë me Ballën për Ramën, por për demokratët s’ka kohë të bëjë takim


Luçiano Boçi i zgjedhur së fundmi si nënkryetar i PD-së ka reaguar në lidhje me mbledhjen e kryesisë së grupit të thirrur nga Enkelejd Alibeaj në ambientet e selisë së Kuvendit.

Në një postim në rrjetet sociale, Boçi shkruan se Alibeaj është i shkarkuar nga detyra e tij si kreu i grupit parlamentar, por kjo s’e ka penguar të thërrasë përsëri mbledhje grupi dhe kryesie.

Boçi duket se ndan të njëjtin qëndrim me Ervin Salianjin, pasi shprehet se Alibeaj është gati të ulet në çdo kohë me Taulant Ballën, për të ndjekur Ramën, por nuk ka kohë e durim të presë përfaqësuesit e PD-së.

“E çuditshme se si ata që janë gati të ulen në çdo kohë me Ballën për të ndjekur Ramën nga pas, nuk paskan durimin të bëjnë takim me përfaqësues të PD-së?!

Pra as mbledhje nuk ka pasur dhe as takim konsultativ, përderisa ka nxitim për të vënë mungesa dhe për të krijuar sajesa.”- shkruan Boçi.

REAGIMI I PLOTË I BOÇIT

Nxitimi për të shpikur një mbledhje të Kryesisë së Grupit Parlamentar, dhe për të manipuluar komunikimin politik brenda Grupit Parlamentar, shfaq nxitimin për të ndjekur axhenda personale të paracaktuara.

Në mungesë së Kryetarit të Grupit (tashmë i shkarkuar) mbledhja thirret nga nënkryetarët.

Sot u kërkua takim konsultativ, jo mbledhje me Kryesinë e vogël, të cilën unë dhe z. Salianji për shkak të angazhimeve e propozuam në orën 17.00.

Por padurimi sipas parimit “unë jam lokomotiva (e shkarkuar) dhe thërras vagonin e parë”, se dua të kap destinacionin, prevaloi mbi qëllimin tonë për normalitet dhe gjithëpërfshirje të grupit parlamentar.

E çuditshme se si ata që janë gati të ulen në çdo kohë me Ballën për të ndjekur Ramën nga pas, nuk paskan durimin të bëjnë takim me përfaqësues të PD-së?!

Pra as mbledhje nuk ka pasur dhe as takim konsultativ, përderisa ka nxitim për të vënë mungesa dhe për të krijuar sajesa.

Sepse:

– Kryesia e Grupit Parlamentar përbëhet nga kjo Kryesia e vogël, kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve, nënkryetarët e partisë. Statuti e rregullorja e përcaktojnë qartë.

– Kryesia e vogël nuk merr vendime. Konsulton. Ajo është thjeshtë një pjesë e Kryesië. Vendimet i takojnë Kryesisë së grupit.

– Kuorumi i supozuar nuk formohet me të shkarkuar nga funksioni.

Boll me lojën topa-luftash!

Ne kemi kërkuar e do vazhdojmë të arrijmë vendosjen e normalitetit të komunikimit politik brenda grupit.

Çdo përpjekje për të manipuluar rolin e tij dhe për ta përçarë atë për axhenda personale që shkojnë kundër interesit të demokratëve nuk do të pranohet!