Vendosni fjalën kyçe....

Mark Marku me probleme shëndetësore, qeveria i jep 1 milion lekë për kurim


Ish-deputeti i PD-së dhe profesori Mark Marku do të marrë një ndihmë financiare nga qeveria për shkak të problemeve shëndetësore. 

Në vendimin e firmosur nga zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj, thuhet se një fond prej do 1 milionë lekësh është akorduar për ish-deputetin dhe do shkojnë për mbulimin e shpenzimeve për mjekimin e tij.

Ky shpenzim do të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe ligjit për buxhetin e vitit 2022, të ndryshuar dhe në vijim të vendimit të Këshillit të Ministrave për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2022 me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave vendosi:

Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Mark Marku në masën 1 014 000 (një milion e katërmbëdhjetë mijë) lekë.

Ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor

Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit”- thuhet  në vendimin e qeverisë.

Mark Marku sipas medieve, i është nënshtruar një ndërhyrjeje në zemër në një spital privat në Tiranë. Pas operacionit, ai thuhet se është në gjendje të mirë shëndetësore.

Kujtojmë se profesor Marku u zgjodh deputet në 25 Prill të vitit të kaluar në qarkun e Lezhës, por dha dorëheqjen pas zhvillimeve në kampin opozitar.