Vendosni fjalën kyçe....

Edi Paloka: PD mbledh nesër Këshillin Kombëtar


Partia Demokratike do të mbledhë të premten në orën 18:00 Këshillin Kombëtar.

Kjo do të jetë mbledhja e parë pas Kuvendit të 30 prillit, që zgjodhi edhe anëtarët e rinj të këtij organi të rëndësishëm. Kjo u bë e ditur nga deputeti Edi Paloka, i cili tha se në këtë mbledhje do të miratohet qëndrimi mbi procesin e zgjedhjes së Presidentit.

“Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit për momentin ushtrues i kompetencave të Kryesisë dhe kryetarit të PD-së ka vendosur thirrjen e mbledhjes së këshillit kombëtar të PD-së nesër në 6 maj në orën 18:00. Qëllimi i mbledhjes përveç konstituivit është edhe përcaktimi i një qëndrimi politik të PD-së lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit. Bazuar në nenin 44 të statutit mbledhja duhej mbajtur brenda 5 ditëve, por për shkak të natyrës urgjente të çështjes që trajtohet Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit vendosi që mbledhja të mbahet nesër.

Këshilli Kombëtar është i vetmi organ që mund të përcaktojë qëndrimin e unifikuar të PD-së lidhur me një çështje të rëndësishme politike siç është ajo e zgjedhjes së Presidentit, pasi në bazë të statutit, edhe të vjetrit, edhe të riut, Këshilli Kombëtar është organi më i lartë që drejton veprimtarinë e PD-së në periudhën mes dy kuvendeve.”– deklaroi Paloka.