Vendosni fjalën kyçe....

Duartrokitje, brohorima, bori – ARRSH plotëson kërkesën e protestuesve dhe kthen lëvizjen me dy sense në rrugën e Rinasit


Autoriteti Rrugor Shqiptar ka ndryshuar vendimin për lëvizjen me një sens në Rrugën e Rinasit.

Një vendim që është pritur me brohorima e duartrokitje nga banorët e Rinasit të cilët mbyllën protestën në ditën e katërt të saj. Ndërkohë drejtuesit e mjeteve që kanë nisur lëvizjen po u bien borive duke përshëndetur protestuesit për “fitoren” e arritur prej tyre.

“NJOFTIM

Kthehet në gjendjen e mëparshme Rruga e Rinasit, qarkullimi do të vijojë me dy sense lëvizjeje deri në një zgjidhje përfundimtare me qëllim lehtësimin e trafikut në segmentin Qafë Kashar-Rrethrrotullimi i Rinasit-Ahmetaq.

Apeli ynë për të gjithë drejtuesit e mjeteve që vijnë nga veriu të përdorin akset alternative për të mos rënduar trafikun në rrugën që të çon drejt aeroportit të Rinasit.

Udhëtarë/turistët që marrin fluturimet të marrin në konsideratë fluksin e lartë të mjeteve në këtë aks duke përllogaritur orarin e nisjes.”– ka njoftuar ARRSH.

Kjo ishte një fitore e banorëve por edhe e fëmijëve të shkollës ‘Rexhë Deliu’ të cilët kanë bërë mungesa prej disa ditësh, por tani do të kenë mundësinë të shkojnë në shkollë.

“U gëzuam tani se fëmijët i çojmë shumë qetësisht. Se na i patën prerë krahët. Faleminderit edhe për mediat shumë. Për ne është një fitore e nevojshme, e kishte të nevojshme fshati këtë rrugë.”– thanë banorët.