Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi: Alibeaj nuk është mandatuar nga PD për të negociuar për emrin e presidentit të ri


Deputetja e PD-së Albana Vokshi ka thënë mbrëmjen e sotme se Alibeaj nuk është i mandatuar për të negociuar për presidentin e ri të vendit.

Në një intervistë për A2, demokratja thekson se mes Lulzim Bashës e kryeministrit Rama ka një marrëveshje të fshehtë.

Deklarata e Vokshit vjen pas mbledhjes së sotme të Konferencës së Kryetarëve ku u diskutua zgjedhja e presidentit të ri. Më herët kryeministri Rama ka pohuar se nuk do negociojë me grupin e Berishës për këtë çështje.

“Unë kam qenë pjesë e Konferencës së Kryetarëve edhe në mandatin e kaluar, edhe në këtë mandat. Në mandatin e kaluar ka pasur raste që janë transmetuar online, sot më thanë që ishte kërkuar nga Alibeaj për t’u transmetuar online. Por kjo nuk përcakton vijën politike të PD dhe Enkelejd Alibeaj nuk është i mandatuari i PD për të bërë negociata për presidentin. Nuk është Edi Rama ai që përcakton se kush është opozita e vërtetë, nuk është Edi Rama ai që përcakton se kush janë negociatorët në këtë rast. Ne e dimë që ka një pakt Lulzim Basha-Edi Rama, një pakt që vijon prej muajsh në mos prej vitesh.” – tha Vokshi.