Vendosni fjalën kyçe....

Protesta për rrugën e Rinasit, policia kordon për të liruar qarkullimin, banorët zhvendosen drejt shkollës


Banorët e Rinasit kanë dalë sërish në protestë. Ata kanë bllokuar rrethrrotullimin pranë aeroportit të Rinasit, duke e përshkallëzuar kështu protestën dhe duke krijuar më tepër problematikë në qarkullim.

Ata shprehen kundër ndryshimit të sensit të lëvizjes pasi për të sjell problematika të shumta.

Ata kërkojnë që ARRSH të ndryshojë vendimin për kthimin e kësaj rruge me një sens lëvizje pasi ka penalizuar jetën e përditshme dhe nevojat e tyre bazike për të aksesuar shkollat, qendrat shëndetësore apo tokat bujqësore.

“Nuk na bind deklarata e ARRSH. Të vijnë këtu ata dhe ta shohin sa kalohet te rrugët e lagjeve. Ne duam të hapet rruga siç ishte”, thotë një nga banorët.

“Nuk kërkojmë luks, kërkojmë të lëvizim brenda për brenda fshatit. Duam të çojmë fëmijët në shkollë, nuk shkojmë dot. Çdo ditë do dalim në rrugë deri sa të na gjejnë zgjidhje. Nuk shkojmë dot tek tokat tona, prindërit tonë nuk shkojnë dot të bëjnë një gjilpërë në ambulancë. Kërkojmë të lëvizim brenda për brenda fshatit”, shprehet një tjetër.

Forcat e policisë kanë shkruar në protestë dhe kanë krijuar dy kordonë për të penguar protestuesit për të mos bllokuar qarkullimin e  automjeteve drejt hyrjes së aeroportit ndërkombëtarë, pasi kjo do të sillte kolaps.

Banorët kanë marrë leje për këtë protestë deri në orën 12:00, ndërsa thonë se do të dalin çdo ditë deri sa ky problem të marrë zgjidhje.

Sakaq, banorët kanë nisur të lëvizin në drejtim të shkollës së Rinasit, për të dëshmuar para mediave dhe situatën me të cilën ata po përballen në këto tre ditë që rruga është kthyer me një sesn lëvizjeje.