Vendosni fjalën kyçe....

Prokurorja Elisabeta Imeraj deklaratë para vendimit të KPA-së: Pres drejtësi


Drejtuesja e prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, ka thënë para nisjes së seancës në KPA ndaj saj se pret drejtësi në vendimin e sotëm.

“Pres drejtësi.” – tha Imeraj.

Deri tani në KPA janë zhvilluar disa seanca ndaj Imerajt.

Në seancën e fundit, u zhvillua një debat mes Komisionerit Publik Florian Ballhya dhe Imerajt.

Komisioneri Publik tha gjatë seancës se gjatë shqyrtimit në Kolegj, subjekti i rivlerësimit nuk ka mundur të provojë ligjshmërinë e krijimit të pasurisë.

Sipas tij ka mospërputhje në deklarimet e bashkëpronësisë, si dhe se nuk është deklaruar kontrata paramartesore nga Imeraj.

Ndërsa Imeraj ka argumentuar se Komisioneri Publik nuk bëri asnjë interpretim se çfarë deklarimesh ndër vite nuk korrespondojnë.

Për më tepër, e akuzoi se ka përdorur një kartelë pronësie false, të cilën as institucioni i Hipotekës nuk e pranon ta ketë nxjerrë.

Po kështu gjatë seancës së fundit Imeraj tha se në procesin ndaj saj ka pasur shumë të pavërteta nga anonimë apo njerëz të shtyrë që kërkojnë të përdorin sistemin e drejtësisë për të bërë padrejtësi.

Ajo theksoi se gjatë procesit të rivlerësimit është përballur me përfundime të quajtuara opinione apo gjetje, të cilat referojnë si burim prove, letra anonime. Ndaj saj ka pasur ‘sulme të çuditshme’ të paraqitura në denononcime në ‘copa letrash apo me email-e të rreme’ nga persona që nuk ekzistojnë.

Ajo theksoi se ka kërkuar hetime për të mësuar se “cili është personi apo personat që kanë falsifikuar denoncimin e përcjellë me emrin Rrahim Shehu, me qëllim cënimin e figurës time si prokurore dhe ndikimin për shkarkim nga detyra.”

Prokurorja Imeraj theksoi se “nuk mund të bëhemi vasalë” të denoncimeve anonime që mund të bëhen nga persona me qëllime dashakeqëse.

Imeraj ka deklaruar po ashtu ka paraqitur kallëzim penal për të hetuar çdo portal anonim që ka bërë shkrime denigruese dhe të pavërteta, të cilat kanë pasqyruar lloj-lloj të dhënash për komisionerët, vëzhguesit apo prokurorë e gjyqtarë. Specifikisht tha se ka kallëzuar portalin infront.org.

Imeraj ka theksuar gjatë seancave të mëhershme në procesin e vetingut se rasti i saj është paragjykuar. Hashtag.al zbuloi se në seancat e zhvilluara në KPK ndaj Imerajt, ish-kryetarja Genta Bungo, ka kërkuar shkarkimin  e Imerajt duke thënë se bëhej fjalë për ‘një maloke më pak’ në sistemin e drejtesisë.

Po kështu seanca në veting u shoqërua me një skandal ku është përfshirë vëzhguesi i ONM-së (Operacionit Ndërkombëtar i Monitorimit) Theo Jacobs. Ky i fundit kishte referuar në SPAK emal-in e një zonje e cila e akuzonte Imerajn për ryshfet.

Denoncuesja është një personazh i njohur për organet ligjzbatuese shqiptare pasi në 3 vitet e fundit ka bërë dhjetëra kallëzime, për gjithë zinxhirin drejtues të shtetit shqiptar, madje dhe për komisionerët e vettingut, ambasadoren amerikane, artistë, këngëtarë, Mark Zuckebergun madje “Threla” ka denoncuar dhe presidentin e Kinës Xi Jiping, duke e akuzuar atë si personin që e helmoi me koronavirus.

Përveç personazhit në fjalë, ONM-ja nëpërmjet vëzhguesit Theo Jacobs dhe Komisioneri Publik Florian Ballhysa kanë keqpërdorur përveç personazhit të lartpërmendur edhe dy të tjerë në seancën e rivlerësimit ndaj Imerajt.

Bëhet fjalë për Valentino Ymerin dhe Rrahim Shehun, të cilët nuk ekzistojnë fare në Regjistrin Civil dhe janë personazhe fals. Pas kësaj në çështje u përfshi edhe ambasada e BE-së në Tiranë e cila i quante dezinformime e akuza të pabaza meterialet e dala ndaj organeve të vetingut e ONM-së.