Vendosni fjalën kyçe....

Edhe një javë tjetër nga vendimi final – Çfarë zbuloi gjyqi i sotëm për Elisabeta Imerajn në KPA


Të mërkurën e 27 Prillit prokurorja Elisabeta Imeraj do të mësojë vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, nëse do e përjashtojë nga sistemi i drejtësisë apo ajo do të vijojë në detyrë.

Ditën e sotme u mbajt seanca e radhës për të në KPA, por çfarë ndodhi sot në 6 orë seancë?

Sot palët paraqitën me shkrim dhe prezantuan konkluzionet e tyre përfundimtare, Komisioneri Publik Florian Ballhysa duke kërkuar edhe një herë shkarkimin e zonjës Imeraj, ndërsa kjo e fundit duke kërkuar rikonfirmimin e saj në detyrë.

Debati Imeraj-Ballhysa mbi kriterin e pasurisë

Komisioneri Publik tha gjatë seancës së nisur që prej orës 13:00 se gjatë shqyrtimit në Kolegj, subjekti i rivlerësimit nuk ka mundur të provojë ligjshmërinë e krijimit të pasurisë.

Sipas tij ka mospërputhje në deklarimet e bashkëpronësisë, si dhe se nuk është deklaruar kontrata paramartesore nga Imeraj.

“Hetimi administrativ mbi subjektin e rivlerësimit në kuadër të rivlerësimit kalimtar ka filluar në datën 31.10.2018 dhe subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar apo pretenduar ekzistencën e regjimit pasuror të ndarë deri në datën 17.09.2020, datë në të cilën është pyetur nga Komisioni mbi ekzistencën e regjimit pasuror për shkak të martesës.

Në këto rrethana, pretendimet e subjektit të rivlerësimit mbi ekzistencën e regjimit të posaçëm pasuror për shkak të martesës, bien në kontradiktë me deklarimet ndër vite, veprimet juridike, sjelljen e saj në cilësinë e bashkëpronares si dhe deklaratat e saj.” – tha komisioneri Ballhysa.

Më tej ai përmendi se subjekti i rivlerësimit nuk ka provuar gjatë shqyrtimit gjyqësor në Kolegj të kundërtën, lidhur me pamjaftueshmerinë e shlyerjes se kredisë së vitit 2006.

Mirëpo zonja Imeraj ka argumentuar se Komisioneri Publik nuk bëri asnjë interpretim se çfarë deklarimesh ndër vite nuk korrespondojnë.

Për më tepër, e akuzoi se ka përdorur një kartelë pronësie false, të cilën as institucioni i Hipotekës nuk e pranon ta ketë nxjerrë. 

Ku qëndron pamjaftueshmëria ekonomike a burim i paligjshëm? S’thuhet asnjë provë, asnjë shifër, asnjë diferencë. Nga ekspertiza e pavarur financiare ka mjaftueshmëri reale të pasurisë. Nga ana ime u ngrit një shqetësim, që në aktet që ju keni përpara ka një kartele pasurie të falsifikuar. Hipoteka thotë me shkrim se s’kanë lëshuar një kartelë të tillë. Hipoteka thotë se në emër të Elisabeta Imerajt nuk figurojnë pasuri. Përse nuk shqetësohet Komisioneri Publik për këtë fakt? Komisioneri Publik nuk arrin të thotë të kundërtën, sepse ajo kartelë që më atribuon mua 2500 m2 është e falsifikuar.” – u shpreh Imeraj duke iu drejtuar disa herë Komisionerit Publik që të numërojë se cilat prova nga ato që ajo ka prezantuar nuk qëndrojnë dhe të shpjegojë dhe arsyet pse.

E shkuara e ish-bashkëshortit dhe ish-kunatit

Në kriteret për vlerësimin e figurës Komisoineri Publik deklaroi se ish-bashkëshorti dhe ish-kunati i prokurores Imeraj kanë qenë të dënuar në Itali.

“Ish-bashkëshorti i subjektit, A.B dhe ish-kunati A.B janë në të vërtetë persona me identitete false dhe janë dënuar me vendim të shkallës së parë në Romë për emigracion të paligjshëm dhe shfrytëzim të prostitucionit. Ish-bashkëshorti A.B është dënuar me 8 vjet burgim dhe 55 mijë Euro gjobë, ndërsa ish-kunati është dënuar me 7 vjet burgim dhe 54 mijë Euro gjobë.

Në Apel, ish-bashkëshorti është shpallur i pafajshëm ndërsa ish-kunati është dënuar përfundimisht me 7 vjet burgim dhe gjobë 54 mijë Euro. Vini re, dënimi është shkurtuar në 4 vjet burgim dhe 10 mijë Euro gjobë.” – tha komisioneri, sipas të cilit zonja Imeraj “mund dhe duhet” t’i kishte vërtetuar këto fakte e më pas edhe t’i kishte deklaruar ato.

Për më tepër sipas tij dhe të ardhurat nga pjesëmarrja në organizatë kriminale, ish-kunati i ka investuar në banesën ku Imeraj jeton sot me fëmijët.

“Banesa në të cilën ajo ka jetuar nga viti 2007 deri më sot është ndërtuar edhe me fondet e A.B, ish-kunatit. Theksojmë se A.B është një person i dënuar për vepra penale të fushës së krimit të organizuar, ka realizuar të ardhura të paligjshme si anëtar i një grupi të strukturuar kriminal dhe se këto të ardhura i ka investuar në ndëtimin e banesës në të cilën jeton edhe sot subjekti i rivlerësimit.”– tha Ballhysa.

Por si përgjigjet Imeraj?

Prokurorja tha se lidhur me këto pretendime të ngritura nga vëzhguesi i ONM-së dhe më pas edhe nga Komisioneri Publik, nuk qëndrojnë.

Kjo pasi kujtoi Vendimin e Gjykatës së Apelit në Romë të vitit 2002 që “ka vendosur ta deklarojë të pafajshëm” ish-bashkëshortin e saj. Imeraj theksoi se nuk ekziston asnjë informacion në territorin e Shqipërisë për ish-kunatin që të ketë indicie për krim të organizuar, ndërsa në Itali theksoi se vendimi për të është dhënë në mungesë.

Po ashtu iu drejtua komisionerit Ballhysa: “Komisioneri të na prezantojë se çfarë do të thotë person i përfshirë në krim të organizuar për ish-bashkëshortin dhe ish-kunatin tim. S’mund të bëhen hamendësime por duhen prova konkrete. Letrat anonime ju i prezantoni si prova, por janë shpifje. S’ka asnjë akt e dokument zyrtar që i provon.”

Përpos kësaj, Imeraj thekson se edhe sikur këto të qëndronin, ajo nuk do ishte në gjendje të njihej me këto informacione duke marrë parasysh se ajo është martuar shumë vite më vonë.

 “Edhe në vitin 2007 në kohën e lidhjes së martesës, po t’i isha drejtuar të gjitha organeve ligjzbatuese nuk do kisha përfituar të dhëna në bazë të të cilave të kisha dijeni se këta persona kanë veprimtari kriminale.” – theksoi Imeraj.

“Sjellja joetike” e Imerajt sipas Ballhysës

Gjatë fjalës së tij, Komisioneri Publik kërkoi që trupa gjykuese të mbante parasysh edhe ‘sjelljen‘ e zonjës Imeraj gjatë seancës dëgjimore, duke e përdorur si argument se prokurorja këtu ‘ngel’ në etikë sa i përket kriterit të figurës.

Por Imeraj u shpreh: ”Ndihem e zhgënjyer nga fjala e fundit e Komisionerit Publik se duhet të mbahet në konsideratë sjellja e subjektit të rivlerësimit në seancën e datës 24.03.2021. Unë nuk dëgjova të arsyetuar se cila është sjellja, çfarë është bërë dhe çfarë është konkluduar dhe pse kjo sjellje nuk përputhet me rregullat etike, profesionale apo kushtetuese?”

Ajo shpjegoi se e vetmja gjë që ka bërë në atë seancë ka qenë fakti se nuk ka pranuar t’i përgjigjet me “Po” ose “Jo” një pyetjeje, gjë të cilën e konsideron të drejtën e saj të bazuar në ligj në një rrethanë ku ajo është ndier e fyer.

Imeraj kërkon hetime mbi denoncimet anonime, por dhe mbi portalet anonime

Imeraj tha se në procesin ndaj saj ka pasur shumë të pavërteta nga anonimë apo njerëz të shtyrë që kërkojnë të përdorin sistemin e drejtësisë për të bërë padrejtësi. Ajo theksoi se gjatë procesit të rivlerësimit është përballur me përfundime të quajtuara opinione apo gjetje, të cilat referojnë si burim prove, letra anonime. Ndaj saj ka pasur “sulme të çuditshme” të paraqitura në denononcime në “copa letrash apo me email-e të rreme“ nga persona që nuk ekzistojnë.

Ajo theksoi se ka kërkuar hetime për të mësuar se “cili është personi apo personat që kanë falsifikuar denoncimin e përcjellë me emrin Rrahim Shehu, me qëllim cënimin e figurës time si prokurore dhe ndikimin për shkarkim nga detyra.”

Prokurorja Imeraj theksoi se “nuk mund të bëhemi vasalë” të denoncimeve anonime që mund të bëhen nga persona me qëllime dashakeqëse.

“Kam një pyetje të thjeshtë, përse dhe kujt i intereson shkarkimi i Elisabeta Imerajt?”- pyet ajo disa herë.

Imeraj theksoi se në Republikën e Shqipërisë, ka 6 persona me emrin e denoncuesit Rrahim Shehu dhe asnjëri prej tyre i pyetur nga prokuroria nuk ka pranuar të jetë personi që qëndron pas këtyre denoncimeve.

“S’mund të lejojmë që Organet e Drejtësisë të bëjnë padrejtësi në emër të drejtësisë së Rrahim Shehut. Kjo është e papranueshme.”- theksoi Imeraj duke iu drejtuar trupës gjykuese.

Akuzat mbi përgjimin e vëzhguesit Hans Kijlstra është një nga rastet që po ashtu bazohet mbi denoncime anonime, sipas Imerajt.

“Përsa i përket pretendimit që lidhet me z. Hans Kijlstra është mëse e nevojshme të hetohet kush e ka përgjuar, a ka patur përgjim, dhe në çfarë rrethanash ka ndodhur. Edhe kjo situatë është kërkuar të hetohet nga ana ime në kallëzimin e paraqitur.” – thotë Imeraj.

Sipas saj kjo akuzë e ngritur po në denoncime anonime është fyese”. Imeraj shton se përpos pretendimeve anonime, nuk rezulton që vëzhguesi Kijlstra ta ketë adresuar shqetësimin e tij gjatë qëndrimit në Shqipëri në asnjë nga agjencitë kompetente për ndjekjen e rastit, “si në polici apo prokurori, fakt ky i konfirmuar nga përgjigjet zyrtare dhe institucionale.”

Imeraj ka deklaruar po ashtu ka paraqitur kallëzim penal për të hetuar çdo portal anonim që ka bërë shkrime denigruese dhe të pavërteta, të cilat kanë pasqyruar lloj-lloj të dhënash për komisionerët, vëzhguesit apo prokurorë e gjyqtarë. Specifikisht tha se ka kallëzuar portalin infront.org.

Kriteri i aftësive profesionale

Përveçse theksoi që ka përfunduar Magjistraturën në vitin 2004, Imeraj theksoi se gjatë viteve të karrierës së saj si prokurore nuk është tërhequr nga asnjë çështje që i ka rënë me short, pavarësisht rrezikshmërisë së personave të cilët ka hetuar apo kërcënimeve e presioneve me të cilat është hasur.

Ajo shtoi: “Jam prokurorja që kam dërguar përgjate viteve në gjykim thuajse 160 të pandehur, nga të cilët kanë marrë vetëm 2 apo 3 prej tyre pafajësinë”.

Imeraj kujtoi se ka ndjekur çështje të rëndësishme dhe sensitive në opinionin publik, ka hetuar politikanë, zyrtarë në nivele të larta, anëtarë të krimit të organizuar, madje edhe terroristë.

“Trajtim i pabarabartë”

Elisabeta Imeraj në këtë seancë pretendoi se ajo nuk po trajtohej e barabartë me të tjerë subjekte të vlerësimit. Ajo përmendi disa raste kur të tjerë prokurorë/gjyqtarë (pa i identifikuar ata plotësisht) ishin konfirmuar në detyrë… edhe pse ndaj ish-kunetërve/kunetërve apo të tjerë personave të afërm të tyre kishte një dënim të formës së prerë për vepra penale dhe që as vëzhguesi ndërkombëtar dhe as Komisioneri Publik nuk i kishin ankimuar.

Po ashtu të tjerë prokurorë dhe gjyqtarë sipas saj ishin gjendur në rrethana të ngjashme të regjimit pasuror, por përsëri vetëm për të kishte patur ankimim dhe trajtim të ndryshëm.

“Të nderuar anëtarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, të paktën në dukje, nuk kam një të drejtë morale, ligjore dhe mbi baza faktike dhe provash, që në rastin e mbrojtjes së interesit publik e të barazisë para ligjit t’i kërkoj Komisionerit Publik pse nuk është bërë një trajtim i njëjtë në situata të ngjashme? (Lexon një nga vendimet e KPK-së) Edhe në këtë rast të nderuar anëtarë të KPA, Komisioneri Publik nuk ka paraqitur ankimim. Me të drejtë. Nuk e paragjykoj, por unë paragjykoj paragjykimin e tij që bën situatën e të drejtave të mia pronësore në raport me pasuritë paramartesore.”- thotë ajo. Imeraj vijoi të lexojë vendime të ngjashme, duke këmbëngulur se “nuk është mbajtur i njëjti standard”.

Pas argumenteve të paraqitura prej palëve, trupa gjykuese mori një javë kohë për të dhënë vendimin.

Më 27 Prill, Kolegji i Posaçëm të Apelimit do të japë vendimin përfundimtar në lidhje me Imerajn, nëse ajo do e mbajë detyrën apo do përjashtohet përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Cilit do i japë të drejtë KPA dhe mbi të gjitha si do e argumentojë vendimin, që përveçse përcakton fatin e një zyrtari të drejtësisë, do japë për publikun edhe një pasqyrë se si do jetë drejtësia e re që mezi po e presin të gjithë. /Dajana Dobrozi – Hashtag.al