Vendosni fjalën kyçe....

“Gratë ishin përdhunuar para se të vriteshin”- Mjekët ligjorë flasin pas ekzaminimit të trupave të viktimave në Ukrainë


Mjekët ligjorë që kryejnë ekzaminimet pas vdekjes mbi trupat në varrezat masive në veri të Kievit thonë se kanë gjetur prova se disa gra ishin përdhunuar përpara se të vriteshin nga forcat ruse.

“Ne tashmë kemi disa raste që sugjerojnë se këto gra ishin përdhunuar përpara se të qëlloheshin për vdekje.”- tha Vladyslav Pirovskyi, një mjek ligjor ukrainas i cili sëbashku me një ekip ekspertësh të tjerë ka kryer dhjetëra autopsi mbi banorët e vrarë në Bucha, Irpin dhe Borodianka.

“Ne nuk mund të japim më shumë detaje pasi kolegët e mi janë ende duke mbledhur të dhënat dhe ne kemi ende qindra trupa për të ekzaminuar.”-tha ai sipas “The Guardian”.

Ekipi i mjekëve ka ekzaminuar rreth 15 trupa në ditë, shumë prej tyre të gjymtuar. “Ka shumë trupa të djegur dhe trupa të shpërfytyruar rëndë që është thjesht e pamundur të identifikohen.”– tha ai.

Pirovskyi tha se trupat e disa grave që ata kishin ekzaminuar tregonin shenja se viktimat ishin vrarë me armë zjarri automatik, me mbi gjashtë vrima plumbash në shpinë.

Oleh Tkalenko, një prokuror i lartë për rajonin e Kievit, tha se detajet e përdhunimeve të dyshuara i ishin përcjellë zyrës së tij, e cila po heton rrethanat si vendndodhjet dhe moshat e viktimave.

“Rastet e përdhunimeve janë një çështje shumë delikate dhe e ndjeshme.”– tha Tkalenko. “Mjekët e mjekësisë ligjore kanë një detyrë specifike për të kontrolluar organet gjenitale të viktimave femra dhe për të kërkuar shenja përdhunimi”.

Një mjek i huaj që punon në veri të Kievit, i cili kërkoi të mbetet anonim, tha se disa trupa “janë në gjendje aq të keqe sa nuk është e lehtë të gjesh shenja përdhunimesh dhe abuzimesh seksuale. Por ne po mbledhim prova për disa raste të grave që besojmë se janë përdhunuar përpara se të vriteshin.”

Pas tërheqjes së trupave ruse nga qytetet dhe periferitë përreth kryeqytetit, dhjetëra gra i kanë thënë policisë, mediave dhe organizatave të të drejtave të njeriut për mizoritë që pretendojnë se kanë pësuar nga ushtarët rusë. Hetuesit kanë dëgjuar dëshmi për përdhunime në grup, sulme me armë dhe përdhunime të kryera në sy të fëmijëve.

Komisionerja e Ukrainës për të drejtat e njeriut, Lyudmila Denisova, ka dokumentuar zyrtarisht rastet e 25 grave që u mbajtën në një bodrum dhe u përdhunuan sistematikisht në Bucha, një qytet në veri të Kievit, tani sinonim i krimeve ruse të luftës. Autoritetet kanë paralajmëruar se këto raste mund të jenë maja e ajsbergut dhe kanë akuzuar trupat ruse për përdorimin e përdhunimit si instrument lufte.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, tha në një deklaratë javën e kaluar se qindra gra ishin përdhunuar nga ushtarët rusë. Autoritetet ukrainase kanë refuzuar të japin shifra të sakta ose detaje se ku kanë ndodhur përdhunimet apo moshat e viktimave.

Por Rusia nga ana tjetër i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.