
Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka firmosur një urdhër ekzekutiv për të lehtësuar kufizimet mbi kërkimet shkencore për drogat psikedelike, si psilocibina dhe LSD, me synimin për të përshpejtuar studimet mbi përdorimin e tyre në trajtimin e problemeve të shëndetit mendor, përcjell Euronews.
Gjatë ceremonisë në Shtëpinë e Bardhë, ku ishte i pranishëm edhe Sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., Trump deklaroi se masa synon të reduktojë pengesat burokratike dhe të përmirësojë bashkëpunimin mes institucioneve si Food and Drug Administration dhe Departamenti i Çështjeve të Veteranëve.
Sipas tij, urdhri do të ndihmojë në përshpejtimin e studimeve dhe në rishikimin më të shpejtë të klasifikimit të këtyre substancave, në rast se ato marrin miratim për përdorim mjekësor.
Aktualisht, substanca si LSD dhe psilocibina klasifikohen si droga me potencial të lartë abuzimi dhe nuk janë të aprovuara për përdorim mjekësor, çka ka kufizuar ndjeshëm kërkimet shkencore në këtë fushë.
Megjithatë, urdhri i ri nuk ndryshon menjëherë statusin ligjor të këtyre drogave dhe nuk lejon përdorimin e tyre terapeutik në praktikë, por synon vetëm përshpejtimin e kërkimeve.
Në vitet e fundit është rritur interesi për përdorimin e tyre, veçanërisht për trajtimin e ankthit, depresionit dhe stresit post-traumatik, sidomos tek veteranët e luftës.
Ekspertët theksojnë se, ndonëse rezultatet paraprake janë premtuese, nevojiten studime më të thelluara për të kuptuar plotësisht përfitimet dhe rreziqet e mundshme, pasi disa substanca mund të kenë efekte anësore serioze, përfshirë ndikime në zemër.