Vendosni fjalën kyçe....

Berisha i përgjigjet ambasadores Kim: Loja me kukulla ka marrë fund, SHBA ta ndalë se po përpiqet të ndërhyjë dhe në Gjykatë


Sali Berisha i është përgjigjur ambasadores amerikane Yuri Kim, lidhur me komentet e saj mbi incidentin që ish-kryeministri pati një ditë më parë në Parlament me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeajn.

Pasi u pyet nga gazetarët, Berisha tha se ishte një ndërhyrje qesharake nga “guvernatorja”, duke iu referuar ambasadores.

Më tej, Berisha e akuzoi ambasadoren Kim se po ndërhyn në çështjen për PD-në pranë Gjykatës së Apelit.

“Lidhur me deklaratën, unë mund të them se ishte një ndërhyrje qesharake e guvernatores. Po theksoj këtu se ka marrë fund koha e lojës me kukulla.

Sot ka opozitë të vërtetë. Askush nuk mund t’i diktojë kësaj opozite akuzat që duhet të bëjë dhe nuk duhet të bëjë. Se unë pashë aty shqetësim edhe për akuzat. Të harrojë kush përpjekjet se mund të diktojë.

Sikundër unë publikisht sot para mediave shpreh keqardhjen por edhe denoncimin tim për ndërhyrjet e saj direkte në procesin gjyqësor. Javën e kaluar unë iu informova. Thashë se kam informacion për dy burime. Gurvenatorja bën takime për procesin gjyqësor që nuk ka asnjë bazë ligjore.

Kurrë sipas përcaktimit të procedurave të kodit civil nuk mund të konsiderohet palë ajo që nuk është palë. Unë këtu i bëj thirrje qeverisë së SHBA të ndalojë ndërhyrjet e përfaqësueses së saj në proceset gjyqësore në Shqipëri.”- deklaroi Berisha.